DRILON HAJRIZI
Si në familje!
21 November, 2013 @20:21
Se atmosfera në skuadrën e Pejës është e përkeqësuar, është përgënjeshtruar nga njëri prej lojtarëve më të mirë të kësaj skuadre, Drilon Hajrizi.
Ky i fundit ka qenë pjesëmarrës në një zënkë në stërvitjen e verdhezinjëve, së bashku me Fahri Brecën dhe Vedran Morovicin. Në të vërtetë zënka kishte filluar ndërmjet Brecës dhe Morovicit, kurse Hajrizi kishte ndërhyrë duke iu dalë përballë kroatit.
Megjithatë, Driloni këto i sheh si normale dhe nëpërmjet rrjetit social ka insistuar se raportet me bashkëlojtarët e tij nuk janë të prishura.
“Ekipi që të rezultoj pozitivisht, duhet të funksionoj sikurse familja. Shpeshherë kemi komplikime verbale ndërmjet anëtarëve të familjes si rezultat i mospajtimeve që rezultojnë si shkak i përpjekjes për rezultate pozitive, që assesi nuk do të thotë prishje e marrëdhënieve. Andaj, bëj lutje dashamirëve të basketbollit që mos t’i keqinterpretojnë gjërat, si rasti: “Drilon Hajrizi dhe Fahri Breca patën përleshje fizike me Vedran Morovic”, përderisa në patëm vetëm një mospajtim verbal që për mendimin tim ky lloj mospajtimi veçse e përforcon bashkëpunimin tonë.”
“Unë jam këtu që Peja të fitoj tituj sepse ky është interesi i klubit, i imi, por mbi të gjitha, i juaji,” ka shkruar Hajrizi në llogarinë e tij në Facebook.