RAHOVECI-PRISHTINA
Sigal Prishtina e pandalshme, 21 me radhë
11 March, 2018 @19:33
Sigal Prishtina përkundër se nuk ia nisi mirë ndeshjes në çerek të parë, me mbrojtje të fortë në çerek të dytë dhe me gati 30 pikë të shënuara vetëm nga minuta 10 deri në 20-tën përfundoi dilemat e fituesit të ndeshjes sonte në përballje ndaj Rahovecit.
Bardhekaltërit kampionë fituan me 13 pikë dallim në fund, 71-84, në ndeshjen e zhvilluar në Shani Nushi të Gjakovës, pasi që Rahoveci ende po pret ndërtimin e një palestrë në qytet.
Në anën tjetër, djelmoshat e Bujar Locit kanë dalë më të mirë ndaras në çerekun e tretë dhe të katërt se Sigal Prishtina (19-18 dhe 24-23) por pamjaftueshëm për të rrezikuar fitoren e prishtinasve.
Valon Bunjaku ka qenë më efikasi te Sigal Prishtina. Ai ka shënuar 21 pikë ndaj ish-skuadrës së tij, derisa ka regjistruar 2 asistime dhe 7 kërcime tjera në fitore.
Përveç tij, 16 pikë ka shënuar Fisnik Rugova, që përfundoi ndeshjen me double-double, pasi që regjistroi edhe 14 kërcime, kurse Graniti shënoi 13 pikë të tjera. E Alban Veseli kreu ndeshjen me double-double prej 13 pikëve dhe 14 kërcimeve.
Te vreshtarët më efikasi ka qenë sonte Arian Çallaku që ka shënuar 20 pikë, 8 kërcime e 3 asistime, ndërsa 19 pikë tjera i shtoi Mark Williams, që kishte edhe 9 kërcime.
Xhiron që vjen nis cikli i fundit i ndeshjeve të Superligës dhe Rahoveci do të vazhdojë të kërkojë Play-Offin e parë në histori të klubit.