Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA - RAHOVECI

Sirko shkëlqen, Peja rikthen kreun duke mposhtur Rahovecin

Foto: FBK

Sirko shkëlqen, Peja rikthen kreun duke mposhtur Rahovecin


26 September, 2021 @18:55

Peja është rikthyer në krye të Superligës me fitore ndaj Rahovecit sot, pasi që një ditë më parë pozitën e parë e kishte kapur përkohësisht Trepça.

Shqiponjat Karagaç kanë fluturuar lartë pas çerekut të parë krejt të barabartë, për të marrë epërsinë 11 pikëshe në fund të pjesës së parë dhe për ta thelluar atë në pjesë të dytë, për përfundimtaren 101-80 [23-23, 24-13, 27-20, 27-24].

Kjo ka qenë fitorja e tretë e Pejës nga po aq ndeshje ndërsa për ekipin ka debutuar i ardhuri Steph Maxwell, që ka qenë në lojë për afro 20-minuta sot. Gjashtë lojtarë te Peja kanë shënuar pikë dyshifrore në këtë fitore, ndërsa te Rahoveci që humbi kontrollin e lojës pas 10-minutëshit të parë, më i dalluari ka qenë amerikani Milik Yarbrough.

Kroati Henrik Sirko ka shënuar 20 pikë e 11 kërcime për të kryer ndeshjen me double-double, derisa ka qenë më i vyeshmi te Peja, duke arritur indeksin 30 në ndeshje.

TABELA AKTUALE

Dardan Berisha e Erdem Ilter kanë shënuar nga 16 pikë, derisa turkut i mungoi një asist për të bërë double-double. Ilter bëri edhe gjashtë kërcime. Dardani shtoi shtatë asistime në llogari të tij në këtë fitore, ndërsa për tre pikë sot nuk ishte në ditën e tij, pasi shutoi tetë herë për të shënuar një! E Sirko shutoi tri herë për të shënuar dy.

Debutuesi Maxwell luajti me 19 pikë e nëntë kërcime.

Te Rahoveci Milik Yarbrough luajti me double-double. Ai shënoi 25 pikë, derisa pushoi vetëm 50 sekonda gjatë ndeshjes, për të bërë edhe 10 kërcime tjera.

Eric Davis Jr luajti me 20 pikë, ndërsa 15 të tjera i shënoi Altin Morina, që kreu ndeshjen me double-double, duke bërë edhe 10 asistime.

Pas kësaj fitoreje Peja bëhet me bilans 3-0, ndërsa Rahoveci bën bilansin negativ, 1-2.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga