DERBI TURK
Spahi maestral, mposhtet në derbi
9 December, 2013 @21:55
Kosovari Kenan Spahi ka arritur një sukses mahnitës sonte në derbin e madh turk Galatasaray-Fenerbahçe. Përkundër se ekipi i tij, Fenerbahçe, është mposhtur nga Galatasarayi, Spahi ka qenë lojtari i tretë me minutazhë më të madhe në ekipin e trajnerit Zeljko Obradovic, duke qenë në fushë të lojës për 28 minuta e gjysmë, që pas lituanezin Linas Kleiza i cili luajti mbi 35 minuta në ndeshjen derbi dhe Emir Preldzicit me mbi 30 minuta - është njeriu me minutazhë më të madhe.
Spahi ka shënuar 5 pikë në ndeshje, ka bërë 1 kërcim dhe ka arritur t’i regjistrojë 4 asistime duke qenë njëri ndër lojtarët më me ndikim në lojë shikuar organizimin e ekipit.
Ndërsa nëse kihet parasysh se çfarë yje ka Fenerbahçe në ekip, që pagohen shumëfish më shumë si Bojan Bogdanovic, pastaj Nemanja Bjelica e Lester McCaleb Jr atëherë kjo tregon padiskutueshëm edhe njëherë potencialin fenomenal të këtij djaloshi nga Kosova.
Sa i përket lojës, Galatasaray ka qenë më i mirë në çerekun e parë dhe të tretë të ndeshjes, kurse epërsia e krijuar në këta çerekë ka qenë e pakapshme për Fenerbahçen.
Më efikasit në ndeshje te ekipi fitues kanë qenë Ender Arslan me 18 pikë dhe dyshja Milan Macvan e Nana Mensah Bonsu me nga 10 pikë, derisa te kanarinat e Fenerit janë dalluar Nemanja Bjelica me 17 dhe Lester McCaleb Jr me 13 pikë të shënuara.
Galatasaray dhe Fenerbahçe kanë bilanc të njejtë pas kësaj ndeshjeje, me nga 6 fitore e 3 humbje, derisa lider i ligës elite turke në basketboll është ekipi i shqiptarit Ermal Kuqo, Banvit, me 8 fitore dhe vetëm një disfatë nga nëntë xhirot e para të kampionatit.