GAME 1: CELTICS - CAVS
Super Celtics, e nisin me fitore bindëse
13 May, 2018 @23:58
Me fitoren e Boston Celtics është mbyllur ndeshja e parë e serisë finale në Konferencën Lindore në NBA.
Skuadra e Bostonit, përkundër mungesave të yjeve si Irving e Hayward, zhvilloi një paraqitje fenomenale përgjatë gjithë ndeshjes dhe takimin e sontëm e mbylli me fitore 108-83.
Befasisht, ndeshja nuk pati fare histori, me vendasit që pothuajse gjatë gjithë kohës kishin epërsi mbi 20 pikëshe, ndërsa mysafirët nga Ohio ‘shenja jete’ shfaqën vetëm në fundin e çerekut të tretë dhe fillimin e çerekut të katërt, kur disavantazhin e ngushtuan deri në 14 pikë, mirëpo Bostoni nuk lejoi befasi dhe me mbrojtje agresive e sulm efikas, arriti ta mbyllë ndeshjen me plot 25 pikë epërsi.
Si rrallëherë, për Clevelandin paraqitje të ‘zbehtë’ zhvilloi lideri LeBron James, i cili u neutralizua pothuajse totalisht nga mbrojtja perfekte e organizuar nga Brad Stevens, trajneri i Bostonit, i cili po vazhdon të impresionojë në drejtimin e skuadrës kelte.
Sa i përket paraqitjeve individuale, më i dalluari te Bostoni sonte ishte Jaylen Brown me 23 pikë, 8 kërcime e 1 asistim, i ndihmuar edhe nga Marcus Morris me 21 pikë e 10 kërcime dhe Al Horford me 20 pikë, 4 kërcime e 6 asistime. Te Cavs u veçua Kevin Love me 17 pikë, 8 kërcime e 3 asistime.
Ndeshja e dytë e serisë luhet përsëri në ‘TD Garden’ më 16 maj me fillim nga ora 02:30.