FINAL SERIES PLAYOFF | YLLI 1-0 TREPÇA

Super dramë në Suharekë, Ylli 1-0 Trepça
22 May, 2022 @19:23
Një super ndeshje që jep sinjale për super serinë finale të basketbollit kosovar për të nxjerrë kampionin e Superligës, pasi që dueli i parë dha fituesin krejt në fund dhe atë me një treshe të Henrik Sirkos për 63-62 27 sekonda para fundit të ndeshjes.
Pas kësaj, Chris Harris i Ylli s’shënon asnjë nga gjuajtjet e lira, Rodney Purvis i Trepçës nuk shënon për tri pikë, kur mbetën edhe 10 sekonda deri në fund, e kërcimin në sulm të kapur nga Samir Zekiqi, ky i fundit s’arrin ta fusë në kosh dhe kështu, Ylli merr epërsinë fillestare në seri 1-0.
Sa i përket ndeshjes në përgjithësi, ka pasur shumë kthesa, derisa janë parë sulme të organizuara, por edhe mbrojtje tejet të forta të të dyja palëve, trajnerët e të cilëve po e njohin shumë mirë kundërshtarin - e në fund si duket do të vendos saktësia individuale e lojtarëve për fituesin e secilës ndeshje në vazhdim.
Ndeshja nisi shpejtë dhe Trepça mori epërsinë 21-27, për të forcuar mbrojtjen dhe në çerekun e dytë me 8-10 shkoi në pushim me epërsi komode.
Por, një rikthim senzacional i Yllit në çerekun e tretë, duke e ndalë ekipin mitrovicas në 9 pikë për 16-9 ka bërë që të hyhet në 10 minutëshin e fundit me shumë emocione.
E loja ka vazhduar kështu deri në fund dhe me 18-16, pas treshes së Henrik Sirkos, tentimet e sekondave të fundit nga Rodney Purvis e Samir Zekiqi s’gjetën koshin për përfundimtaren me një pikë dallim, 63-62, në Suharekë.
Kjo ka qenë vetëm ndeshja e parë e serisë finale, ndërsa kampion bëhet ekipi që arrin tri fitore së pari.
Ndeshja e radhës, pas tri ditësh luhet në Minatori të Mitrovicës dhe e tërë seria shkon me ndeshjet vajtje-ardhje.
Performancat e lojtarëve
Sa i përket performancave individuale, e tërë pesëshja e parë e Yllit ka kryer ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa Chris Harris dhe Dajuan Graf kanë mbyll lojën me double-double. I pari shënoi 10 pikë e 10 kërcime, ndërsa i dyti 13 pikë e 10 kërcime.
Shuti për tre pikë nuk ka qenë i kënaqshëm sonte te vendasit, pasi që luajtën me 28% saktësi në mënyrë ekipore, e më efikas ka qenë Graf që dha 3 nga 7 tentimet e tij për tri pikë.
Te Trepça, Andrew Gordon ka dominuar me 16 pikë e 11 kërcime - i vetmi me double-double në ekip - ndërsa Rodney Purvis e Corban Collins kanë qenë lojtarët tjerë që kanë shënuar pikë dyshifrore në skuadër. Purvis dha 14 pikë (4/11 për tri pikë), ndërsa Collins 11 pikë (3/12 për tri pikë) duke bërë saktësinë e tresheve në mënyrë ekipore, 24%.
Drilon Hajrizi u ndalë në 6 pikë sonte, ndërsa bëri edhe 7 kërcime e 3 asistime në proces - pamjaftueshëm për fitore.
Ylli merr epërsinë e serisë 1-0, ndërsa tash pritet të shihet reagimi i Trepçës në ndeshjen e radhës.