EKSKLUZIVE: ARTI HAJDARI
Synimi i Besës, katërshja e madhe
21 December, 2013 @11:11
Klubi i themeluar stinorin e kaluar si Studenti, këtë stinor trashëgoi emrin e Besës. Stinorin e kaluar shkatërruan gjithçka në Ligën e Parë të Kosovës dhe hynë drejtpërdrjejtë në Superligë, kur edhe ndërruan emrin nga Studenti në Besa.
Ai është vetëm 20 vjeçar. Ka barrën të e madhe në ekip, është kapiten i ekipit më të ri për nga mosha por edhe për nga historia.
Mirëpo, kapitenllëkun e vërtetë ai e tregoi në xhiron e fundit të Superligës, kur morri përgjegjësinë për të shënuar pikët vendimtare ndaj Trepçës për t’ia dhënë fitoren më të ëmbël të stinorit, Besës.
Arti Hajdari tashmë beson se Besa do të jetë një ekip që do të konkurrojë katërshen e madhe të basketbollit kosovar.
-Si e vlerësoni gjysmëstinorin e posapërfunduar për KB Besën?!
Hajdari: Me fitoren e fundit ndaj Trepçës mund të them se kemi përfunduar gjysmëstinorin mjaft mirë dhe jemi të kënaqur me rezultatet e arritura.
-Keni qenë njeriu kryesor në fitoren e madhe ndaj Trepçës?! Si ndiheni?!
Hajdari: Normalisht që ndihem mjaft mirë për këtë sepse ka qenë një ftiore e madhe e ekipit. Kur e dimë se Trepça ka një ekip mjaft të mirë, të kompletuar, atëherë rëndësia e fitores sonë bëhet edhe më e madhe.
-Çka prisni nga ekipi në vazhdim?!
Hajdari: Në vazhdim të stinorit, pra pas pushimeve të festave të fundvitit, pres të jemi ekip shumë i fortë dhe më i kompletuar. Synimi ynë është që të hymë në katërshen e madhe.
-Kundër kujt ka qenë më vështirë e kundër kujt ka qenë më lehtë në Superligë për Ju?
Hajdari: Kemi pasur mjaft ndeshje të vështira këtë stinor dhe nuk mundem të veçojë asnjërën. Por, kryesorja për ne ka qenë që kemi treguar lojëra të mira, përkundër moshës dhe përvojës që kemi.
-Fitorja më e ëmbël deri tash në stinor?!
Hajdari: Fitore e madhe dhe e ëmbël mund ta quajë fitoren ndaj Trepçës në xhiron e fundit. Kjo fitore na ka bërë të ndihemi të gjithë mirë dhe pa asnjë diskutim, me të vërtetë ka qenë më e ëmbla nga të gjithat deri më tani.
Hajdari 190 centimetërsh, si kapiten i ekipit të udhëhequr nga strategu kroat Boris Kurtovic, ka qenë violina kryesore e Besës.
Arti beson se përkundër moshës së re, ekipi do të jetë edhe më stabil në vazhdim dhe do të jetë arrë e fortë për kudnërshtarët.
Me dridhjet që po i pësojnë Trepça e Bashkimi këtë stinor si për shembull humbjet nga Kastrioti, Besa me këtë ekip, punën që po e bën dhe me trajnerin me mjaft përvojë Kurtovic - shumë lehtë mund t’ia zë njërës vendin në Play-Off.
Besa ka shënuar pesë fitore këtë stinor në Superligë krahas nëntë humbjeve që i ka. Fitorja e parë u erdhi në nëntor, pasi në tetor i humbën të gjitha ndeshjet. Pastaj befasuan RTV 21-shin si mysafir për të treguar se s’ka hajgare me pejanët e rinj, duke vazhduar edhe me fitore ndaj Dritës. E stinorin vjeshtor, të parin në Superligë, e përfunduan me dy fitore radhazi - ndaj Kastriotit si mysafir dhe Trepçës si vendas.