Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RIKTHIM TE FITORJA!

Të gjitha golat me kokë, Suhareka mposht Malishevën

Foto: FCSuhareka/ fb

Të gjitha golat me kokë, Suhareka mposht Malishevën


28 March, 2025 @18:42

Në një përballje ku nuk kishte gola në pjesë të parë, por Liridon Fetahaj qëlloi shtyllën fuqishëm (40’) pjesa e dytë solli gola. Të gjitha golat erdhën nga krosimet në zonë dhe me kokë, ndërsa Suhareka fitoi duelin ndaj Malishevës, për t’iu kthyer fitores si dhe për të regjistruar të dytën me radhë në shtëpi, Suhareka - Malisheva 2-1 [Eneid Kodra 57’, Mevlan Zeka 85’—Drilon Hazrollaj 90’+2].

Fetahaj ka qenë përsëri protagonist. Gjatë një manovrimi me top në të djathtën, ai vendosi të krosonte. E në zonë më së miri u gjend Eneid Kodra që me kokë sikur parabolë, shënoi për epërsi.

TABELA AKTUALE

Malisheva nuk kishte ndonjë rast konkret në ndërkohë, derisa Suhareka thuajse në mënyrë të njëjtë, por nga më afër dhe krahu tjetër, përmes Yll Hoxhës gjeti golashënuesin më të mirë të Superligës aktualisht, Mevlan Zeka, që qëlloi këndin e kundërt të portierit mysafir dhe me shtyllë siguroi fitoren!

E tëra që arriti Malisheva deri në fund të ndeshjes ka qenë zbutja e humbjes, kur Drilon Hazrollaj i iku mbrojtjes vendase dhe krosimin e shndërroi në gol me kokë nga afërsia, për përfundimtaren 2-1!

Fitorja ka qenë me shumë rëndësi për Suharekën. Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa ka arritur fitoren e nëntë kampionale, ndërkaq tash pas 26 ndeshjesh ka 32 pikë dhe për momentin është në pozitë të shtatë. Malisheva e sigurt në pozitë të tretë, përkundër humbjes së shtatë kampionale me 41 pikë nga po aq ndeshje.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga