TREPÇA @ FINAL FOUR 2017
Të shfrytëzojmë avantazhin dhe të marrim Kupën
16 February, 2017 @12:11
Basketbollisti 202 centimetra i gjatë i Trepçës, Besnik Azemi, është ndër të paktët në ekipin gjelbër-e-zi nga Mitrovica që e shijuar trofeun e fundit të Kupës së fituar.
Trepça kishte triumfuar në Kupë në vitin 2012, duke mposhtur Bashkimin në finalen e zhvilluar në “Karagaç” të Pejës. Stinori në fjalë ka qenë stinori i fundit para se “Minatori” të hyjë në renovimin e stërgjatur, që u bë gati për këtë stinor.
27 vjeçari beson se ekipi i tij do të shfrytëzojë avantazhin që i ofron terreni skuadrës.
“Ndeshja gjysmëfinale është mjaft e vështirë. Mirëpo, ne luajmë në shtëpinë tonë dhe besoj që do të shfrytëzojmë avantazhin e terrenit vendas të premten për të fituar ndeshjen,” ka thënë Besnik Azemi në një bisedë ekskluzive me Borozani.com para Final Fourit.
Trepça duhet të mposht Sigal Prishtinën mbrojtëse të titullit për të kaluar në finale. Dueli zhvillohet të premten më 17 shkurt në ora 20:00.
Por, synimi i Trepçës është të fitojë Kupën. Së paku kështu thotë Azemi që këtë stinor luan me 10.6 pikë si mesatare për ekipin e tij.
“Synim i ekipit të Trepçës është trofeu në këtë event,” ka qartësuar Azemi.
Në Final Four 2016, Trepça ishte mposhtur nga Peja në gjysmëfinale që u organizua në Prishtinë. Kësaj radhe, mitrovicasit dëshirojnë që të mos lëshojnë nga dora mundësinë e të qenit vendas në këtë ngjarje dhe ta shfrytëzojnë për të fituar trofeun e parë për klubin prej vitit 2012.