JASHTË PARKETIT

BOROZANI/Erdis Driza/Arkiv
Tifozët pejanë s’duan maqedonasit, Prishtina reagon!
13 May, 2015 @19:30
Në një njoftim të botuar në Facebook, orë më parë, tifozët e Pejës, “Shqiponjat” i kanë bërë thirrje publike ekipit të Prishtinës që të mos udhëtojë me dyshen maqedonase për ndeshjen e dytë finale në Karagaç nesër, për shkak të situatës së krijuar ditë më parë në Maqedoni.
“Klubi i tifozëve Shqiponjat i bënë thirrje Klubit Basketbollistik Prishtina të mos udhëtojë në Pejë me dy sllavo-maqedonët, Ilievski dhe Trajkovski, pas situatës së krijuar në Maqedoni. Këta dy përsona nuk janë të mirëseardhur në Karagaç derisa djemtë e Pejës, Dukagjinit dhe Kosovës në mënyrë të padrejtë vriten dhe arrestohen në Maqedoni. Derisa të zbardhet rasti ,të sqarohet situata dhe të lirohen të arrestuarit, ne nuk do t’i mirëpresim trajnerin e Prishtines Marjan Ilievskin, dhe lojtarin Bojan Trajkovski. Shpresojmë të keni mirëkuptim dhe të respektoni kërkesën tonë,” kanë shkruar tifozët e klubit verdhezi.
I pyetur nga Koha.net në lidhje me kërkesën e tifozëve të Pejës, kreu i klubit pejan, Art Gashi, ka thënë se:
“Janë çështje që implikojnë familje të Pejës. Ka të arrestuar në familjet e tifozëve. Nuk mund të dalim kundër qëndrimit të tyre, por Prishtina këta lojtarë i ka nën kontratë. E gjitha çka mund të them si qëndrim i joni është që nuk duam asnjë eksces dhe se kërkojmë nga Policia e Kosovës masa të larta të sigurisë.”
Në anën tjetër, nuk ka vonuar shumë dhe klubi i Prishtinës ka reaguar në Facebook me këtë komunikatë:
“KB Prishtina dënon ashpër thirrjet nxitëse për dhunë të inicuar nga tifozeria “Shqiponja” ndaj një pjese të ekipit tonë. Ju kujtojmë se disa ditë më parë në finalen e Ligës Ballkanike, po këta lojtarë ishin kyçë në arritjen historike të sportit shqiptar. Thirrjet e tilla nuk kanë të bëjnë aspak me sportin e aq më pak me ndershmërinë dhe moralin sportiv. Ekipi i cili mburri shqiptarinë ditë më parë meriton pritje kampionësh! Sigal Prishtina fton organet kompetente të merren me këtë çështje, dhe po ashtu kërkon identifikimin e personave të cilët bëjnë thirrje për dhunë në ngjarjen kryesore të basketbollit të Kosovës. Ua rikujtojmë si kampionë ballkanik se ndeshjet fitohen me zemër e me burrëri, e jo me nxitje të dhunës e qyqarllëk.
I bëjmë apel KB Pejës të distancohet nga kjo lloj qyqarie. Ajo nuk është në traditën e shqiptarëve.
*edhe portieri i KH Besa mbron ngjyrat e një klubi shqiptar.”
Në ndërkohë, pritet që Federata e Basketbollit të Kosovës të qartësojë situatën para ndeshjes së dytë finale të Play-Offit ndërmjet Pejës dhe Prishtinës, që do të zhvillohet në Pejë nesër mbrëma.
Sigal Prishtina ka fituar ndeshjen e parë në kryeqytet është në epërsi 1-0.
Sigal Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës në basketboll dhe fituese e ligës ballkanike këtë stinor, derisa Peja ka fituar Kupën e Kosovës.
Me përballjet e serisë finale do të përfundojë zyrtarisht stinori 2014/15 i Superligës.