GAME 4: BASHKIMI-PRISHTINA
Titulli historik, Bashkimi kampion
23 May, 2018 @22:24
Ëndrra shumëvjeçare më në fund u bë realitet. Skuadra e Bashkimit është kampione e Kosovës për stinorin 2017/18.
Ekipi portokall e zi ka festuar titullin e parë në historinë e tij në palestrën e stërmbushur të Sezai Surroit, duke e mposhtur Sigal Prishtinën në ndeshjen e katërt të serisë finale të Play Offit me rezultat 77-61.
Tre çerekët e parë të ndeshjes kaluan në baraspeshë, ndërsa dallimi në rezultat filloi të krijohet në çerekun e fundit.
Problemet me gabimet personale të Edmond Azemit, Alban Veselit dhe të pandalshmit Filip Bundovic në çerekun e fundit te Sigal Prishtina, mundësuan të ketë lojë më të qetë në sulm për skuadrën e Bashkimit.
Gjakftohtë në këtë periudhë u tregua Altin Morina, i cili ishte i pagabueshëm me depërtimet e tij, duke e ndezur atmosferën në palestrën Sezai Surroi. Morina pati tri depërtime të suksesshme duke shënuar 6 pikë, për t’u bërë njëri prej shkaktarëve kryesor për këtë triumf historik të prizrenasve.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte qendra prishtinase, Filip Bundovic, që shënoi 24 pikë dhe 9 kërcime, por kontributi i mangët i bashkëlojtarëve të tij, e la nën hije edhe performancën e tij të shkëlqyer.
Në anën tjetër, lojtarët e Bashkimit ishin më kompakt, pasi katër basketbollistë e përfunduan takimin me pikë dyshifrore.
Më i miri prej tyre ishte Aaron Moss me double-double prej 17 pikëve e 12 asistimeve, derisa pikë të njëjta pati edhe Mikaile Tmusic.
Njeriu vendimtar i çerekut të fundit, Altin Morina, takimin e përmbylli me 16 pikë, 2 kërcime e 1 asistim.
Në fund, trofeun e kampionit e ngriti kapiteni i skuadrës, Qëndrim Biraj, për të cilin gjithashtu ky ishte titulli i parë i kampionit.