Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA FINALES

Trepça apo Bashkimi? Në kërkim të trofeut të parë të vitit

Trepça apo Bashkimi? Në kërkim të trofeut të parë të vitit


Shkruan: Dren Shporta

13 February, 2022 @1:04

Përballja e madhe e finales së Kupës së Kosovës, Final 8, ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit pritet me padurim të shihet. Derisa lojtarët janë të qetë dhe në pritje të ndeshjes, të dyja palët janë duke e kërkuar trofeun — që u mungon me vite të tëra.

Kupa e fundit e Kosovës e fituar nga Trepça daton dhjetë vite më parë, kur mitrovicasit mposhtnin pikërisht Bashkimin në finale të Kupës në (gjithashtu pikërisht) Karagaç të Pejës — në atë që atëherë quhej Final 4 i Kupës.

Mitrovicasit e udhëhequr në parket nga treshja e pandalshme për kohën, Drilon Hajrizi, Jaleel Nelson dhe Emir Zimic, kishin mposhtur prizrenasit në finalen e Kupës me rezultat 86-71, derisa trajneri Neven Plantak i sillte mitrovcasve sukseset e vitit.

Bashkimi në këtë finale kishte arritur duke befasuar Pejën, pasi që Samir Shaptahovic dhe Roland Little kishin bartur barrën kryesore të ekipit në gjysmëfinale.

Prej asaj kohe, Trepça asnjëherë s’ka qenë në finale. Në përgjithësi i ka 3 Kupa të fituara.

SKEMA E KUPËS SË KOSOVËS

Në anën tjetër, Bashkimi ka fituar një kupë të vetme dhe atë nga koha e Bledar Gjeçaj. Viti 2001, kur mposhtinin Pejën 93-83. Prej asaj kohe Bashkimi ka qenë pjesë edhe në pesë finale — të gjitha të humbura! Së fundi në Final 8 të Suharekës në vitin 2018 nga Prishtina, ngushtë 77-74.

Trepça sot drejtohet nga strategu bullgar Lubomir Minchev, ndërsa kjo është finalja e dytë e sezonit për mitrovicasit — pasi që në fillim të sezonit luajtën finalen e Superkupës, ku u mposhtën nga KB Prizreni.

Sot minatorët janë ekip stabil dhe po luftojnë për kreun e renditjes tabelare, derisa organizimi më i hershëm i të gjitha klubeve për sezonin 2021/22 ka filluar pikërisht në Mitrovicë. Minchev nuk dëshiron të dështojë në finalen e dytë. Aq më pak me lojtarët që ka në dispozicion.

Bashkimi në anën tjetër kërkon Kupën e dytë në histori të klubit. Atyre u janë bërë tashmë 21 vjet prej se kanë fituar Kupën e parë dhe të fundit në histori. Aq më shumë, ata as nuk kanë qenë në plan për të qenë në këtë finale — dhe se është pritur të eliminohen radhazi, si në çerek ashtu edhe në gjysmëfinale në rastin e befasisë. Por, të drejtuar nga Branimir Pavic dhe me një qendër të re të ardhur në janar, që po tregohet lojtar kyq në përballjet e Kupës, tashmë apetitet ngriten.

Favorit në këtë ndeshje është Trepça. Mitrovicasit gjithsesi kanë pasur bilans të mirë në Superligë dhe kanë pasur kontinuitet më të mirë të lojërave. Por, Bashkimi është skuadra që ka avantazh ndaj Trepçës në përballjet e Superligës, pasi që portokallezinjtë kanë fituar dy herë ndaj gjelbërezinjëve!

Kjo e bën ndeshjen e rëndësisë së veçantë dhe edhe më të paparashikueshme sesa që pritet. Gjithsesi, të dielën në Karagaç me fillim në ora 18:00 pritet të shihet një ndeshje interesante, derisa trofeu i parë i vitit të kuptojë se ku do të përfundojë, në Veri apo Jug të vendit.

 


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës