EKSKLUZIVE
Trepça do trofe
Intervistë ekskluzive me drejtorin e KB Trepça, Naim Hajrizi;
9 August, 2014 @10:26
I tërë stinori i shkuar, i kaloi Trepçës duke shpresuar se po i rregullohet palestra Minatori, pas renovimit që kishte nisur.
As trajneri spanjoll, i pari i ardhur në Kosovë ndonjëherë, Israel Martin, nuk arriti ta këndell ekipin e gjelbër që po ushtronte në sallat e shkollave fillore e të mesme para ndeshjeve të Superligës!
Trepça arriti Play-Offin, por nuk arriti Final Four-in e Kupës, stinorin që shkoi.
Përgatitjet në tre faza
Mirëpo, kësaj radhe, sipas drejtorit të skuadrës dhe legjendës së klubit, Naim Hajrizi, Trepça do t’ia nis fazën përgatitore shumë shpejtë, derisa do t’i kenë tre faza përgatitore. Synimi gjithnjë do të mbetet – trofeu – pasi që Trepça është klub i trofeve.
-Në çfarë faze është ekipi juaj te përgatitjet parasezonale?
Hajrizi: Trepça do të fillojë përgatitjet më 15 gusht dhe atë e besojmë që do ta bëjmë në Palestrën Minatori (pasi që kemi premtime nga punëkryesit portugez, se do të na lejohen stërvitjet). Do t’i kemi tre faza përgatitore. Faza e parë do të zhvillohet në Mitrovicë, e dyta në brigjet e Shalës së Bajgorës, derisa e treta në bregdet – ku mëtojmë të zhvillojmë edhe disa ndeshje kontrolluese.
Trajnerët vendor, lojtarët vendor
-Do të vazhdoni me trajnerët Ilir Selmani – Izet Tahiri, apo keni plane tjera për stinorin e ri?
Hajrizi: Nga fillimi, ekipin do ta udhëheq dyshja Selmani-Tahiri dhe nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve tona, ata do ta udhëheqin Trepçën deri në fund të stinorit, drejt sukseseve të radhës.
-Cilët lojtarë i keni me kontrata dhe sa lojtarë duhen përafruar te Trepça para nisjes së stinorit të ri?!
Hajrizi: Të gjithë lojtarët janë të lidhur me kontrata, kështu që nuk presim ndonjë lëvizje të brendshme me lojtarë vendor. Ndërsa, pas fillimit të përgatitjeve, bashkë me trajnerin do të përcaktohemi për pozitat që duhet t’i plotësojmë me lojtarë të huaj.
Trofeu te palestra e re Minatori
-Synimet e klubit për stinorin e ri?
Hajrizi: Sikurse çdo herë, edhe këtë stinor KB Trepça do të synojë trofetë, të gjithë e dinë se Trepça është klub i trofeve.
-Për tifozët, lojtarët, basketbollin në përgjithësi…
Hajrizi: Pas më tepër se dy vite, besojmë se ekipi këtë stinor do t’i zhvillojë takimet si vendas në Palestrën Miantori, që besojmë të bëhet shumë shpejtë gati për të filluar punën. Minatori i ka munguar shumë Trepçës, por edhe Torcidës, që janë të etur për të mbushur këtë palestër dhe të përkrahin ekipin e tyre të zemrës. Besoj se tifozët tanë që nga ndeshja e parë do ta mbushin palestrën dhe do të krijojnë atmosferë që një kohë të gjatë i ka munguar qytetit tonë dhe ne si ekip do të tentojmë t’i shpërblejmë ata me trofe që do t’i synojmë këtë vit.
Vërejtje që kam është se numri i lojtarëve të huaj këtë vit ndoshta do ta ngrit shikueshmërinë dhe cilësinë e lojtarëve, por do t’i ngulfat shumë lojtarët tanë. Mirëpo, ne si klub i kemi planet tona dhe do t’i përkrahim dhe do t’iu japim më shumë hapësirë lojtarëve tonë, të cilët i kemi me perspektiv.