TREPÇA - PEJA
Trepça me vështirësi mposht Pejën
14 January, 2018 @20:57
Skuadra e Trepçës me vështirësi arriti ta mposhtë Pejën me rezultat 87-83.
Pjesa e parë u mbyll me katër pikë epërsi, 45-41, në favor të mitrovicasve, ndërsa Peja në asnjë moment nuk u dorëzua.
Në çerekun e tretë verdhezinjtë shënuan më shumë se Trepça (24-27), për të shpresuar në fitore, por krejt në fund, Trepça e krijoi epërsinë për ta mposhtur kundërshtarin, që nuk e kishte pritur se do të luftonte kaq shumë.
Agon Selmani shënoi më së shumti pikë te Trepça, 22, derisa u ndihmua edhe nga Samir Zekiqi me 20 pikë të tjera, i cili luajti 40 minuta pa pushim.
Te Peja më të dalluarit ishin Rron Grapci me 24 pikë e 8 kërcime dhe Beq Kovaçi me 20 pikë e 10 kërcime.
Kjo ishte fitorja e gjashtë e Trepçës krahas nëntë humbjeve që i ka dhe gjendet në pozitën e pestë, ndërsa për Pejën kjo ishte humbja e dhjetë pas 15 xhirove të zhvilluara.
Nga tri përforcimet e huaja të paraqitura te mitrovicasit, në lojë ishte vetëm Jordan Reed, derisa dy të tjerët nuk ishin të përfshirë në ekip.
Sa i përket Pejës, përvoja e Grapcit dhe e Kovaçit, nuk mjaftoi për të bërë befasinë në Minatori.