Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/2: TREPÇA - PEJA

Trepça në finale pas një dekade, përsëri në “Karagaç”!

Trepça në finale pas një dekade, përsëri në “Karagaç”!


11 February, 2022 @18:53

Një ndeshje mjaft interesante u zhvillua sot mes Trepçës dhe Pejës në “Karagaç”, ndeshje kjo e vlefshme për fazën gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Në fund, fituese e këtij takimi ishte skuadra e Trepçës, e cila duelin e fitoi me rezultat 83-76. Me këtë fitore skuadra mitrovicase arrin në finale të Kupës për herë të parë që nga sezoni 2011/2012. Edhe ai edicion i Kupës zhvillohej në “Karagaç” dhe Trepça shpallej fituese e Kupës!

Skuadra pejane ishte shumë më e mirë në çerekun e parë, të cilin e mbylli 10-23. Por, mitrovicasit “u zgjuan nga gjumi” në çerekun e dytë. 10-minutëshin e dytë ata e fituan 25-14, dhe kështu skuadrat shkuan në pushim mes pjesëve me rezultat të ngushtë, 35-37 në të mirë të Pejës.

SKEMA E KUPËS

Në çerekun e tretë Trepça ishte fantastike. Në gjysmën e dytë të këtij çereku “xehetarët” patën një seri fantastike të shënimeve për tri pikë, me ç‘rast e morën epërsinë në rezultat. Skuadrat në çerek të katërt u futën pranë rezultatit 63-59 në të mirë të Trepçës.

Loja e mirë e Trepçës, sidomos në mbrojtje, vazhdoi edhe në çerekun e katërt. Këtë çerek Trepça e fitoi me rezultat 20-17 dhe rrjedhimisht e mbylli ndeshjen me fitore, 83-76 pas 40 minutave lojë.

Corban Collins me 17 pikë ishte koshashënuesi më i mirë te Trepça sonte, e pas tij më së shumti patën Drilon Hajrizi e Taurus Cockfield Jr., nga 14 secili.

Te pejanët, më të mirët ishin Dardan Berisha dhe Daniel Lekndreaj me nga 17 pikë secili. Ky i fundit ndeshjen e mbylli me double-double, duke pasur edhe 11 kërcime.

Vlen të përmendet që pas 3 çerekëve të parë, banka rezervë e Pejës nuk kishte asnjë pikë të shënuar, ndërkohë që banka mitrovicase kishte shënuar plot 11. Në fund, komplet ndeshjen banka rezervë e Pejës e mbylli me vetëm 2 pikë të shënuara, kurse ajo e Trepçës me 18 pikë.

Pas rreth një muaji mungesë, sonte te Peja nga lëndimi u kthye Erdem Itler. Ai luajti për afro 11 minuta dhe shënoi 2 pikë

Në finale Trepça e pret fituesin e duelit të sontëm gjysmëfinal mes Bashkimit dhe Yllit. Finalja luhet të dielën (13 shkurt) me fillim nga ora 18:00 gjithashtu në “Karagaç” të Pejës.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës