NJË GJIGAND NËN KOSH

Trepça shton fuqi nën kosh!
23 November, 2022 @10:43
Pas largimit të Elijah Ifejeh nga ekipi, Trepça sot ka bërë të ditur se ka angazhuar në ekip basketbollin e fuqishëm që luan nën-kosh, amerikanin Cadarian Raines.
Raines 32-vjeçar është me përvojë, ndërsa peshon 108 kilogramë dhe është i gjatë 206 centimetra. Ai ka përvojë nga disa liga evropiane, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e ekipit nga Venecuela, Supersonics.
Te Supersonics, Raines ka pasur mesatare prej 9.8 pikëve, 1.5 asistimeve dhe 4.9 kërcimeve për ndeshje. Më parë ai ka qenë pjesë edhe e ekipit bullgar që ka luajtur ndaj ekipeve kosovare disa herë, Beroe, ku gjatë sezonit 2021/22 ka pasur mesatare prej 12.8 pikëve 2.7 asistimeve dhe 8.1 kërcimeve për ndeshje.
“Shtojmë muskuj e përvojë nën kosh. Nuk do të ndalemi deri në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta. Cadarian Rines nga sot është pjesë e klubit tonë,” ka shkruar KB Trepça në njoftimin e lëshuar pak më parë.
Përndryshe Trepça, që aktualisht drejtohet nga trajneri verimaqedonas Aleksandar Jonchevski është e treta në renditje pas 10 ndeshjeve të zhvilluara me bilanc 6-4.
Pos ekipeve të përmendura, Raines përgjatë karrierës së tij ka qenë pjesë edhe e ekipeve si Apollon Limasol (CYP), Apollon Patras (GRE), Sagesse (LEB), USK Praha (CZE), Enosis Paralimni (CYP), Knox Raiders (AUS) dhe Kalev (EST).