RRESHTOHEN PËRFORCIMET ME PËRVOJË
8 përforcime te Vushtrria, synimi Superliga!
21 July, 2024 @14:45
Me fillimin e korrikut dhe me mosvazhdim të akordit me Granit Begollin, Vushtrria emëroi trajner Armend Dallkun, trajnerin e deritashëm të Dukagjinit në Superligë. Ish-kampionja e Kosovës Vushtrria, këtë stinor po mëton të luftojë më fortë për rikthim në Superligë dhe kështu pas emërimit të Dallkut në krye të ekipit, përforcimet kanë nisur, ndërsa deri sot ekipi ka zyrtarizuar 8 lojtarë të ri në skuadër.
Bujar Shabani me përvojë në mesfushë qendrore, ishte transferi i parë i lajmëruar i Vushtrrisë, ndërsa më pas bardhekaltërit vazhduan edhe me Ardin Dallkun, mbrojtësin e deritashëm të Dukagjinit, portieri shkupjan Amir Jashar që në stinorin e kaluar mbrojti portën e Gostivarit, sulmuesin e Fushë Kosovës në stinor të kaluar nga Superliga, Urim Statovci, që njihet si qendërsulmues korpulent dhe i gjindshëm në zonë.
Ekipi nuk u ndalë këtu, vazhdoi duke siguruar shërbimet e mbrojtësit brazilian të krahut Jackson Ferreira, që në stinorin e shkuar luajti për Prishtinën e Re. Qendërbrojtësi shkupjan Martin Radulovic që së fundi luajti te Adria Miren në Slloveni, Edmon Likaj qendërmbrojtës dhe mesfushor defanziv që së fundi luajti te Liria në Superligë, kurse dje Dorent Hajdarin që e morën nga Fushë Kosova, ku ky i fundit mban pozitën e mesfushorit ofanziv.
Vushtrria garon në Ligën e Parë - Grupi B, prej se ishte fuzionuar me KF Dardanën nga Kamenica për të shpëtuar ekipin pa rënë në Ligë të Dytë të Kosovës disa vite më parë. Tash, ekipi nga qyteti i vjetër do të kërkojë edhe disa përforcime në ndërkohë për të qenë sa më i gatshëm për fillimin e stinorit të ri në Ligë të Parë - Grupi B, ku do të synojë të ngritet sa më lartë për të luftuar për Superligë.