LIGA E PARË
1 muaj para sezonit të ri, ende nuk dihen të gjitha ekipet e Ligës së Parë!
13 July, 2024 @9:45
Vazhdon gjumi veror i FFK-së.
Ndonëse kanë kaluar 2 muaj që nga përfundimi i sezonit të kaluar në Ligën e Parë dhe sezoni i ri do të fillojë më 17 gusht, rasti “Phoenix” nuk është zgjidhur ende, me ç‘rast ende nuk dihen të gjitha skuadrat pjesëmarrëse dhe ndarja e tyre në grupet përkatëse në sezonin e ri.
KALON GATI 1 MUAJ, FFK ENDE PA VENDIM PËR PHOENIXIN
Pas përjashtimit të dy ekipeve nga Grupi B i Ligës së Parë, Ulpianës dhe Vllaznisë, FFK ende nuk ka vendosur se a do të bie apo jo skuadra e fundit e Grupit A të Ligës së Parë, Phoenixi.
Pasi veçse kanë rënë nga Liga e Parë dy skuadra, ka gjasa që asnjë skuadër tjetër të mos bie, pra Phoenixi të shpëtojë, por ky vendim nuk është marrë ende, ndonëse kanë kaluar dy muaj nga përfundimi i Ligës së Parë.
RREGULLAT DHE RRJEDHA
Ende nuk ka vendim të prerë dhe as një njoftim se kur do të mirret ai. Liga e Parë e Kosovës që është e ndarë në dy grupe, Liga e Parë — Grupi A dhe Liga e Parë — Grupi B, ka nga 10 ekipe pjesëmarrëse secili grup.
Sipas rregullave, fituesi i Grupit A (Suhareka) dhe fituesi i Grupit B (Ferizaji) sigurojnë Superligën, ndërsa vendet e dyta të grupeve përkatëse luajnë barazh (Dinamo-Prishtina e Re) mes vete pastaj edhe me ekipin e tetë (Prishtina e Re - Feronikeli’74) në Superligë, për të shikuar mundësinë për të kaluar në elitë (Feronikeli’74).
Ndërsa, nga secili grup, bie një skuadër në Ligë të Dytë të Kosovës.
Por, në stinorin e posa përfunduar të kësaj lige, pas rastit të përjashtimit të Ulpianës dhe Vllaznisë nga Liga e Parë — Grupi B, ende nuk dihet me fatin e plotë të Ligës së Parë — Grupi A dhe Ligës së Parë — Grupi B.
Kjo, pasi që nga Liga e Parë — Grupi A, sipas rregullave do të duhej të binte Phoenix. FFK kishte ndërruar lajmin që konfirmonte rënien e Phoenixit, duke e hequr këtë pjesë të njoftimit.
Nga Liga e Dytë e Kosovës ngriten dy ekipe në Ligë të Parë (KEK dhe Mitrovica). Por, ku do të shkojnë këto skuadra? Të dyja në Ligë të Parë — Grupi B, apo sipas rregullave një në Ligën e Parë — Grupi A, një në Ligën e Parë - Grupi B!
Pasi që në Ligën e Parë — Grupi B, pas përjashtimit të Ulpianës dhe Vllaznisë, ka dy vende, a do të futen dyshja nga Liga e Dytë aty? Nëse mbetet Phoenixi në Ligën e Parë — Grupi A, atëherë ku do të bie Liria e ku Fushë Kosova (Grupi A apo Grupi B)!
Se kur do të publikohet “vendimi i posaçëm” i FFK-së dhe kur do t’i dijmë të gjithë pjesëmarrësit e sezonit të ri në Ligë të Parë, mbetet të shihet.