Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NË PRITJE TË VENDIMIT!

Kalon gati 1 muaj, FFK ende pa vendim për Phoenixin!

Fotot: FFK & FCPhoenix/fb

Kalon gati 1 muaj, FFK ende pa vendim për Phoenixin!


12 June, 2024 @8:28

Ka kaluar gati një muaj që nga përfundimi i Ligës së Parë, e ende nuk dihet lista e plotë e ekipeve që do të garojnë në Ligën e Parë sezonin tjetër.

Pas përjashtimit të dy ekipeve nga Grupi B i Ligës së Parë, Ulpianës dhe Vllaznisë, FFK ende nuk ka vendosur se a do të bie apo jo skuadra e fundit e Grupit A të Ligës së Parë, Phoenixi.

Pasi veçse kanë rënë nga Liga e Parë dy skuadra, ka gjasa që asnjë skuadër tjetër të mos bie, pra Phoenixi të shpëtojë, por ky vendim nuk është marrë ende, ndonëse ka kaluar një muaj nga përfundimi i Ligës së Parë.

RREGULLAT DHE RRJEDHA

Ende nuk ka vendim të prerë dhe as një njoftim se kur do të mirret ai. Liga e Parë e Kosovës që është e ndarë në dy grupe, Liga e Parë — Grupi A dhe Liga e Parë — Grupi B, ka nga 10 ekipe pjesëmarrëse secili grup.

Sipas rregullave, fituesi i Grupit A (Suhareka) dhe fituesi i Grupit B (Ferizaji) sigurojnë Superligën, ndërsa vendet e dyta të grupeve përkatëse luajnë barazh (Dinamo-Prishtina e Re) mes vete pastaj edhe me ekipin e tetë (Prishtina e Re - Feronikeli’74) në Superligë, për të shikuar mundësinë për të kaluar në elitë (Feronikeli’74).

Ndërsa, nga secili grup, bie një skuadër në Ligë të Dytë të Kosovës.

Por, në stinorin e posa përfunduar të kësaj lige, pas rastit të përjashtimit të Ulpianës dhe Vllaznisë nga Liga e Parë — Grupi B, ende nuk dihet me fatin e plotë të Ligës së Parë — Grupi A dhe Ligës së Parë — Grupi B.

Kjo, pasi që nga Liga e Parë — Grupi A, sipas rregullave do të duhej të binte Phoenix. FFK kishte ndërruar lajmin që konfirmonte rënien e Phoenixit, duke e hequr këtë pjesë të njoftimit.

Nga Liga e Dytë e Kosovës ngriten dy ekipe në Ligë të Parë (KEK dhe Mitrovica). Por, ku do të shkojnë këto skuadra? Të dyja në Ligë të Parë — Grupi B, apo sipas rregullave një në Ligën e Parë — Grupi A, një në Ligën e Parë - Grupi B!

Pasi që në Ligën e Parë — Grupi B, pas përjashtimit të Ulpianës dhe Vllaznisë, ka dy vende, a do të futen dyshja nga Liga e Dytë aty? Nëse mbetet Phoenixi në Ligën e Parë — Grupi A, atëherë ku do të bie Liria e ku Fushë Kosova (Grupi A apo Grupi B)!

PJESËMARRËSIT E SIGURT!

Se kur do të publikohet “vendimi i posaçëm” i FFK-së, mbetet të shihet. Përndryshe, FFK më parë ka bërë të ditur se ky do të jetë stinori i fundit që Liga e Parë do të jetë e ndarë në dy grupe dhe prej edicionit 2025/26 Liga e Parë do të jetë e bashkuar.

Aktualisht, në Ligën e Parë — Grupi A të sigurt janë: Dinamo, Trepça’89, Vëllaznimi, Trepça, Rahoveci, Drenica, Rilindja 1974 dhe Istogu — 8 ekipe! Ndërsa në Ligën e Parë — Grupi B të sigurt janë: Prishtina e Re, Vjosa, Vushtrria, Ramiz Sadiku, 2 Korriku, Flamurtari dhe Kika - 7 ekipe.

Liria dhe Fushë Kosova do të futen gjithashtu në Ligën e Parë (pritet të shihet në cilin grup) si të rënë nga Superliga.

Ndërsa e njëjta pritet edhe për KEK-un dhe Mitrovicën, që janë promovuar nga Liga e Dytë e Kosovës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë