BARAZHI: FERONIKELI 74 - PRISHTINA E RE
Vendos zëvendësuesi Alban Shillova, Nikli 74 mbetet në Superligë!
1 June, 2024 @17:00
Në “18 Qershori” të Klinës, Nikli 74 arriti që minimalisht ta mposhtë Prishtinën e Re në ndeshjen finale të barazhit, për ta siguruar kështu mbetjen në Superligë të paktën edhe për një sezon tjetër.
Vendimtar në këtë takim ishte goli i zëvendësuesit Alban Shillova (90+7’), i cili ia mundësoi Niklit fitoren minimale 1-0 dhe nuk lejoi që ndeshja të shkojë në vazhdime.
Pjesa e parë kaloi kryesisht qetë, me të dyja skuadrat që tregoheshin të kujdesshme, pa rrezikuar me ndonjë rast super serioz. Një gjuajtje direkte nga goditja këndore prej Jakup Berishës ishte prej rasteve të vetme të rrezikshme të Niklit, kurse për prishtinasit një goditje e Urim Statovcit që u prit nga Amrush Bujupi me lehtësi ishte prej rasteve të vetme për t’u veçuar.
Për t’u përmendur nga pjesa e parë është një rast diskutabil, ku Prishtina e Re kërkoi akordimin e një penalltie. Edhe pas rishikimit me VAR, gjyqtari Visar Kastrati nuk akordoi penallti dhe ndeshja vazhdoi.
Në pjesën e dytë, mes tjerash, Labinot Jetullahu i prishtinasve pati një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje në minutën e 68’, e rreth 10 minuta më vonë, edhe Niklit iu anulua një gol. U mendua se ishte goli i fitores për Niklin 74, kur një krosim fantastik nga Granit Musa, futbollist ky mjaft premtues, e gjeti në zonë zëvendësuesin Alban Shillova, i cili shënoi me kokë për 1-0, por pas rishikimit me VAR, ky gol u anulua, vendim tejet diskutabil.
Gjithsesi, goli i anuluar nuk e demoralizoi Niklin 74. Krejt në fund të ndeshjes, në minutën e shtatë të kohës shtesë, Alban Shillova e gjeti përsëri rrjetën, e kësaj here goli ishte i rregullt dhe Nikli 74 e siguroi fitoren dhe rrjedhimisht qëndrimin në elitë.
Kështu, Niklin 74 e Shefki Kuqit do ta shohim edhe vitin tjetër në Superligë, e Prishtina e Re do ta luajë të paktën edhe një sezon në Ligën e Parë.