DREJT FUTBOLLIT NDËRKOMBËTAR
Ballkani zyrtarizon ndarjet me kapitenët Kuc dhe Thaqi
29 May, 2024 @15:15
Kampioni i trefishtë i Kosovës, Ballkani, sot edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se po i ndanë rrugët me dyshen e futbollistëve ndër më të rëndësishmit në ekip. Mesfushori defanziv Edvin Kuç, që pas paraqitjeve tepër të mira me Ballkanin mori ftesë edhe nga reprezentacioni i Malit të Zi dhe debutoi aty suksesshëm si dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, që mund të luajë edhe në të majtën, Armend Thaqi - janë ndarë me klubin e “portokalltë” nga Suhareka si kampionë.
I lindur në Tuz, Kuç 30 vjeçar po merr rrugë drejt Azerbajxhanit, ku do të bëhet pjesë e ekipit Neftchi Baku, ndërsa kontrata me Ballkanin i skadon në fund të muajit që vjen, ndërkaq Armend Thaqi 31 vjeçar i lindur në Prishtinë do të merr rrugë për në kampionatin rumun, ku do të bëhet pjesë e CFR Cluj. Për më tepër, Thaqi ka qenë futbollisti i parë nga Superliga e Kosovës ka luajtur një ndeshje për Kosovën, duke qenë pjesë e ekipit të “dardanëve” në përballjen miqësore ndaj Lituanisë.
“Edvin Kuç dhe Armend Thaqi janë modeli që do t’u shërbejë gjeneratave, janë kulminacioni i profesionistëve sportiv, definicioni i vërtetë i titullit kapiten!
Të gjitha sukseset tona historike, janë të lidhura ngusht me kontributin e çmuar dhe të pa harruar të dy yjeve tanë. Ata do të mbetën përjetësisht kapitenët unik, që si të tillë motivuan bashkëlojtarët e tyre edhe në momente prej më të vështirave, e prijës të tyre ishin edhe në rrugën drejt glorifikimit.
Faleminderit legjenda të FC Ballkanit, ky klub do mbetet shtëpia juaj e përhershme, ku ju presim sërish!” - ka shkruar ndër të tjera FC Ballkani në njoftimin e lëshuar pak më parë, sot.
Vetëm në Superligë, dyshja kanë pasur mbi 30 paraqitje këtë stinor duke qenë pjesë e e sistemit të pathyeshëm të Ilir Dajës në rrugëtimin për titull. Ata fituan kurorën e dyfishtë këtë stinor, për të kurorëzuar ecurinë perfekte në dy fronte me Ballkanin. Të gjitha këto, pa llogaritur edhe ndeshjet e verës kur ekipi siguroi pjesëmarrjen në Ligë të Konferencës në fazë grupore, pas ecurisë kualifikuese në gara evropiane.