Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZHI: DINAMO - PRISHTINA E RE

Penalltitë vendosin, Prishtina e Re në finale të barazhit!

Foto: FC Dinamo Ferizaj / FB

Penalltitë vendosin, Prishtina e Re në finale të barazhit!


26 May, 2024 @18:10

Në ndeshjen e barazhit mes vendeve të dyta të Grupeve A dhe B të Ligës së Parë, sot fituese doli skuadra e Prishtinës së Re.

Pas 120 minutave lojë që u mbyllën 3-3 (koha e rregullt 2-2), në gjuajtjet e penalltive më e mirë u tregua skuadra e Prishtinës së Re, e cila fitoi 7-6 pas penalltive.

Gjuajtjet e penalltive ishin mjaft dramatike dhe fituesi nuk u përcaktua as pas rrethit të 11 të gjuajtjeve të penalltive, duke bërë që dy lojtarë t’i gjuajnë penalltitë nga dy herë! Labinot Jetullahu gjuajti 2 herë për Prishtinën e Re dhe qëlloi saktë dy herë, e Florim Berisha i ferizajasve i humbi që të dyja penalltitë e tij!

Sa i përket kohës së rregullt, Fidan Gërbeshi nga pika e bardhë i dha ferizajasve epërsinë fillestare duke shënuar në minutën e 22’, para se Salih Kosumi (29’) të shënonte për 1-1 rreth 7 minuta më vonë.

Më pas, ishte Daniel Tette i Dinamos që shënoi për 2-1 pak pa u mbyllur pjesa e parë, duke e çuar skuadrën e tij në pushim me epërsi minimale.

Me të filluar pjesa e dytë, prishtinasit barazuan. Ishte Vigan Ademi ai që barazoi gjithçka në 2-2 duke shënuar në minutën e 47’.

Për pjesën e mbetur të kohës së rregullt më gola nuk pati dhe ndeshja u mbyll me barazim, duke bërë që fituesi të vendoset pas vazhdimeve.

Në vazhdimet prej 30 minutave, të dyja skuadrat shënuan në një herë. Fillimisht Urim Statovci shënoi për prishtinasit pas një pasigurie të portierit Leutrim Rexhepi (103’), e shifrat në 3-3 i barazoi autogoli i Dardan Jasharit në minutën e 107’.

Kështu, fituesi u detyrua të përcaktohej pas penalltive, ku më e suksseshme u tregua Prishtina e Re, falë edhe paraqitjes fantastike të portierit Egzon Bislimi.

Për Prishtinën e Re, Labinot Jetullahu 2x, Urim Statovci, Samir Sadriu, Flamur Bajrami, Vigan Ademi dhe Dardan Jashari shënuan, kurse Agustin Rojas, Darnell Kithambo, Kreshnik Bahtiri, Fehmi Dragusha dhe Egzon Bislimi gabuan.

Te Dinamo, Florim Berisha 2x, Daniel Tette, Kenan Orana, Leotrim Rexhepi, Elvis Koraqi gabuan, ndërkohë Genc Berisha, Dren Gashi, Fidan Gërbeshi, Elbasan Thaqi, Bleon Axhami dhe Henry Chibueze  i gjuajtën saktë penalltitë e tyre.

Për një vend në Superligë, skuadra nga Hajvalia në finale të barazhit do të luajë me Feronikelin 74.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë