Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKIP I RI!

SC Besa nis prej Ligës së Parë!

SC Besa nis prej Ligës së Parë!


25 May, 2024 @8:00

Lajm i mirë për publikun pejan të futbollit është që ekipi i qytetit po vjen me emrin SC Besa.

E ky ekip, sipas të gjitha gjasave do të fuzionohet me një ekip nga Liga e Parë, për të mundur që në rikthim të nis garat nga kategoria e dytë e futbollit të Kosovës: Liga e Parë - Grupi A. Ndryshe, do të niste garat nga Liga Rajonale e Dukagjinit, për të kërkuar më pas dalje në Ligë të Dytë e prej aty, pastaj do të mund të bëhej pjesë e Ligës së Parë.

“Ekipi i qytetit të Pejës, SC Besa, është gati për t’u rikthyer fuqishëm në skenën e futbollit të Kosovës. Me ngjyrat kuq e bardhë, ashtu siç e njeh Peja dhe Kosova, ky emër i madh në futbollin kosovar po bëhet gati për të garuar përsëri në ligat më të larta. Nga sezona 2024/25, SC BESA 1923 do të luajë në Ligën e Parë të Kosovës, duke sjellë emocion dhe energji të re në futbollin e qytetit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë sportdashësve, sponsorëve dhe mbështetësve të bashkohen rreth ekipit dhe të kontribojnë për të mbushur përsëri shkallët e stadiumit “Shahin Haxhiislami” gjatë fundjavëve. Futbolli i ka munguar Pejës, dhe Peja i ka munguar futbollit. Le ta rikthejmë së bashku lavdinë e viteve 2005-2007 me djemtë e artë të asaj kohe, për të na dërguar përsëri atje ku e ka vendin Besa,” - ka shkruar ndër të tjera njoftimi i klubit.

Kujtojmë, muaj më parë në Pejë doli edhe ekipi FC Besa Peja me ngjyrat verdhezi. Ata emëruan Fisnik Gashin trajner. Pra, Peja si qytet tash do të ketë dy ekipe të freskëta futbolli që rikthehen në garat e futbollit kosovar.

Përndryshe, ekipi i dikurshëm KF Besa pati krizë të rëndë financiare pas rënies nga Superliga, e pastaj pas rënies nga Liga e Parë në të Dytën dhe kalimit të një pjese të mirë të stinorit të kaluar në Ligë të Dytë - nuk arriti as që të përfundojë stinorin dhe më nuk mori pjesë në garat e stinorit 2023/24 në Ligë Rajonale! KF Besa ka qenë tre herë kampione e Kosovës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë