54-VJEÇARI MBETET NË GJAKOVË
Vëllaznimi vazhdon kontratën e Memës
10 June, 2024 @10:43
KF Vëllaznimi ka bërë të ditur dje se ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin tiranas, Ardian Mema. Përmes një njoftimi në rrjete sociale, klubi nga Gjakova ka shkruar se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për një stinor me Memën.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se skuadra jonë sot ka arritur marrëveshje me kryetrajnerin Ardian Mema që të vazhdojmë së bashku edhe për edicionin 2024\25. Trajnerit Mema i dëshirojmë suksese në vazhdim. Së shpejti do t’ju njoftojmë për më të rejat në klub,” — ka shkruar KF Vëllaznimi në njoftim.
Kujtojmë, Mema kishte ardhur në xhiron e nëntë të stinorit 2023/24 te Vëllaznimi, pasi që këta të fundit ndërprenë bashkëpunimin me trajnerin prishtinas, Megzon Visoka. Prej atëherë, Vëllaznimi u konsolidua si ekip dhe mbylli Ligën e Parë - Grupi A, në pozitë të katërt me 40 pikë nga 27 ndeshje, 14 pikë më pak sesa ekipi që siguroi Superligën.
Vëllaznimi përndryshe që prej stinorit 2017/18 nuk është pjesë e Superligës së Kosovës dhe ka kaluar në vështirësi të mëdha në Ligë të Parë. Tash, siç po duket ekipi po vazhdon konsolidimin dhe pritet të shihet se a do të kenë përforcime të duhura përgjatë verës, për të vënë kandidaturën për rikthim në Superligë në edicionin që vjen.