IKËN EDHE KAPITENI!
Edhe Drilon Hodaj ndahet nga Liria!
10 June, 2024 @8:40
Ndër më meritorit që Liria iu kthye Superligës pas katër stinorësh të kaluar në Ligë të Parë, duke u bërë hero i penalltive në ndeshje të barazhit ndaj Ferizajit në këtë kohë në stinorin 2022/23, Drilon Hodaj është ndarë nga Liria!
Pas stinorit të dobët në Superligë të Lirisë, për të thënë edhe në nivel joserioz, ku Hodaj ishte i lënduar dhe nuk arriti t’i ndihmojë fortë ekipit pasi që u desh edhe të operohet, prizrenasit ranë nga elita.
E në fundjavë, përmes një njoftimi në llogarinë e tij personale, Drilon Hodaj portieri kapiten i ekipit ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me klubin e tij të fëmijërisë e të zemrës.
“Përshëndetje miq e shokë! Çdo rrugëtim e ka një fund, e unë nga sot nuk jam pjesë e FC Liria dhe jam lojtar i lirë. Falenderoj të gjitha kryesitë me të cilët kam bashkëpunuuar, të gjithë bashkëlojtarët. Falenderim i veçantë për “Arpagjik’t” që kanë qenë gjithmonë mbështetësit më të mëdhenjë të klubit. Shpresoj se për klubin do të vinë ditë të mira dhe do të jetë aty ku duhet e e meriton,” — ka shkruar në njoftim njëshi i Lirisë, Hodaj!
Pasi që u bë ekipi i parë që ra nga Superliga 2023/24 dhe pasi ndërroi katër trajnerë përgjatë stinorit që e lamë pas, Liria në stinorin 2024/25 do të garojë në Ligë të Parë të Kosovës. Klubi, pos që ka web-faqe jo të rifreskuar dhe me njoftime të mbetura me muaj aty, as në llogaritë e rrjeteve sociale nuk poston asgjë lidhur me ekipin e parë. Mbetet të shihet se kur do të nis të këndellet ekipi që para fillimit të stinorit të rikthyer në Superligë, pretendonte garat evropiane që në rikthim në elitë!