LIRIA ZYRTARIZON TRAJNERIN PËR STINORIN E RI
Granit Begolli, rikthehet te Liria
15 July, 2024 @13:08
Trajneri Granit Begolli është emëruar sot zyrtarisht si trajner i ri i Lirisë për edicionin 2024/25 të garave në Ligë të Parë të Kosovës. Prishtinasi Begolli, ka drejtuar Lirinë edhe më parë (pjesa e dytë e stinorit 2021/22) dhe kishte arritur me ekipin në barazh për Superligë, por pa arritur të shpie ekipin në elitë.
Liria ditë më parë njoftoi se ka ndarë rrugët me trajnerin që e kishte Erdogan Brando, i cili, siç u tha, për shkak të arsyeve personale nuk qëndroi si trajner i ekipit të parë të prizrenasve.
Begolli në anën tjetër, në stinorin e kaluar mori drejtimin e Vushtrrisë prej fazës pranverore dhe këndelli ekipin për ta larguar nga pozita e rrezikshme e rënies nga Liga e Parë - Grupi B, deri në fund të stinorit. Me të përfunduar stinori ai u nda me vushtrriasit.
Më parë, Begolli 32 vjeç ka drejtuar Suharekën në fillim të stinorit 2023/24, pastaj Feronikelin’74, Lirinë dhe Vëllaznimin.
Liria, ndërkaq në njoftim ka bërë të ditur se me Begollin pret lojë pasionante.
“FC Liria ka kënaqësinë të njoftojë zyrtarizimin e Granit Begollit si trajnerin tonë të ri për sezonin e ardhshëm! Begolli po rikthehet te Liria pas dy sezonesh, duke sjellë me vete përvojën, njohurinë dhe pasionin e tij për futbollin.
Koha e tij e mëparshme me klubin u karakterizua nga udhëheqja e jashtëzakonshme dhe kuptimi i thellë i lojës, cilësi që jemi të lumtur t’i mirëpresim përsëri.
Nën drejtimin e tij, presim një sezon të mbushur me ekselencë strategjike dhe lojë pasionante. Mirë se vjen përsëri, Granit!” - ka shkruar njoftimi i plotë i Lirisë.
Liria përndryshe iu kthye Superligës në stinorin e kaluar 2023/24, por nuk arriti të mbijetojë aty duke përfunduar si e fundit në Superligë dhe tash stinorin 2024/25 do ta kalojë në Ligë të Parë, duke u munduar të rindez luftën për elitë.
Vetë Begolli ndërkaq në llogarinë e tij të Facebookut ka shkruar se është nder e priviligj të drejtojë ekipin e Lirisë.
“Nder e privilegj i madh për mua që të jap kontributin në një klub të madh si FC Liria. Me punë e përkushtim të madh - do synojmë të arrijmë objektivat e klubit për edicionin e ri.
Faleminderit për besimin, shpresojmë në një punë të përbashkët për suksese të mëdha. Faleminderit poashtu tifozëve ‘Arpagjikt’ për mikpritjen e ngrohtë - shpresojmë t’iu bëjmë krenar.” - ka shkruar Begolli.