Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NDARJE!

Erdogan Brando dorëhiqet nga Liria

Erdogan Brando dorëhiqet nga Liria


12 July, 2024 @14:13

Trajneri i cili kreu stinorin e fundit me Lirinë në Superligë, Erdogan Brando, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, edhe pse javë më parë u zyrtarizua nga vetë klubi prizrenas që do të vazhdojë me ekipin edhe për një stinor në Ligë të Parë - Grupi A.

Sipas një njoftimit të botuar në llogaritë zyrtare të Lirisë në Facebook e Instagram, trajneri Brando ka dhënë dorëheqje nga ekipi i parë për shkak të arsyeve personale.

Në ndërkohë, Liria do të kërkojë trajner të ri për ekipin e parë, ndërsa përflitet emri i Granit Begollit si kryetrajner për një rikthim të mundshëm në stol.

Përndryshe, Liria ka bërë të ditur se Brandoja do të merr një post të rëndësishëm në akademinë e klubit, me grupmoshat e reja.

“FC Liria njofton me keqardhje se trajneri ynë, Erdogan Brando, po jep dorëheqjen nga pozita e tij për arsye personale. Ne e kuptojmë dhe e respektojmë vendimin e tij, duke i dhënë përparësi nevojave të tij personale në këtë kohë.
Trajneri Brando ka qenë një pjesë e çmueshme ëe ekipit tonë, duke demonstruar përkushtim të jashtëzakonshëm, ekspertizë dhe udhëheqje. Ne jemi thellësisht mirënjohës për kontributin e tij dhe ndikimin pozitiv që ka pasur te lojtarët dhe klubi ynë.
Kërkimi për një trajner të ri do të fillojë pa humbur kohë dhe ne do të njoftojmë trajnerin e ri sapo të kemi diçka zyrtare. Jemi të përkushtuar për të gjetur kandidatin e duhur që do të vazhdojë të drejtojë klubin tonë përpara.
Ne gjithashtu dëshirojmë të informojmë se, sapo ai të jetë gati, në një të ardhme të afërt, Brando do të marrë një rol të rëndësishëm në akademinë tonë, e cila do të jetë e ardhmja e këtij klubi dhe qyteti. Kontributi dhe përvoja e tij do të jenë thelbësore për zhvillimin e talentëve të rinj.”
- ka bërë të ditur njoftimi i FC Liria.

Kujtojmë, Liria në stinorin e kaluar mori pjesë në Superligë pas katër stinorësh mungesë aty, por nuk arriti të mbijetojë. Ekipi përsëri do të kërkojë ngjitjen për në Superligë, por tash konkurrenca në Ligë të Parë - Grupi A, është tejet më e madhe në krahasim me dy stinorë më parë, kur prizrenasit kishin përfunduar në pozitë barazhi dhe kishin mposhtur Ulpianën e Ligës së Parë - Grupi B e pastaj edhe Ferizajin për të siguruar Superligën.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë