FERIZAJ

Tri përforcime te Dinamoja
7 July, 2025 @12:01
Ekipi ferizajas, Dinamo, që ka pasur paraqitje mbi mesatare në Ligën e Parë - Grupi B, ka zyrtarizuar 3 përforcime për stinorin e ri. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të skuadrës në llogaritë e rrjeteve sociale të ekipit, Dinamo ka bërë të ditur se ka siguruar shërbimet e Enhar Cakollit, Enis Sefës dhe Laurent Bibës për stinorin e ri të garave të Ligës së Parë, që prej stinorit 2025/26 do të jetë e përbashkët.
“FC Dinamo ka kënaqësinë të prezantojë tre përforcimet e para për fazën e ardhshme të garave: Enhar Cakolli, Enis Sefa dhe Laurent Biba i bashkohen familjes sonë si futbollistët më të rinj të klubit.
Të tre janë lojtarë me potencial dhe përvojë, të cilët besojmë se do të jenë një shtyllë e rëndësishme për skuadrën tonë në sfidat që na presin. Me këto afrime, nisim të ndërtojmë një skuadër konkurruese dhe të etur për suksese.” — ka shkruar FC Dinamo në njoftimin e botuar.
Dinamoja drejtohet nga Burim Qerkini dhe ka pasur paraqitje solide në stinorët e kaluar prej se u ngrit nga Liga e Dytë në të Parën. Bile, ata njëherë provuan fatin edhe në playoff për Superligë.