KOSOVA U18
U18 me synime të larta
1 July, 2016 @22:18
Përfaqësuesja e Kosovës U18 po synon të arrijë sa më shumë në Kampionatin Europian të Divizionit C ku do të merr pjesë.
Në lidhje me këtë, për faqen zyrtare të FBK-së, ka folur përzgjedhësi i kësaj përfaqësueseje, Dritëro Sefaja.
“Basketbollistët duhet përgëzuar për punën që e kanë bërë deri më tani, sepse me të vërtetë kanë punuar me përkushtim të madh që të gjithë. Ne si trajnerë jemi munduar të bëjmë më të mirën për ta rritur formën e tyre, por edhe për të ndërtuar një grup të mirë, i cili në San Marino do të tregoj lojëra sa më të mira. Ne pak a shumë e dimë se çfarë na pret në Kampionat Evropian, pasi që vitin e kaluar kemi qenë me gjeneratën U-16 dhe disa prej atyre basketbollistëve tani janë pjesë e Përfaqësueses U-18. Sidoqoftë favoritë absolutë në gara të tilla nuk ka, por ne shkojmë për të dëshmuar basketboll cilësor dhe për të mposhtur cilindo kundërshtarë që do ta kemi përballë. Jemi shumë të motivuar dhe me padurim po e presim pjesëmarrjen në këtë garë. Synojmë që të shkojmë sa më larg në Kampionatin në San Marino,” tha Sefaja.
Kosova do të garojë nga grupi B, së bashku me Uellsin, Maltën, Moldavinë dhe San Marinon. Kjo e fundit është edhe nikoqire e kampionatit që do të mbahet në datat 8-15 korrik.
Shiko gjithashtu: Lista e ngushtë e Sefajës