PARA NDESHJES
Ujkan Karanezi: Nuk do të ndalemi
22 October, 2020 @16:02
Basketbollisti i Bashkimit të Prizrenit, Ujkan Karanezi, ka thënë se ekipi i Bashkimit mezi pret të nis stinori, pasi që stërvitjet kanë shkuar mirë gjatë përgatitjeve të fundit të ekipit si dhe, atmosfera që po mbretëron është e jashtëzakonshme te portokallezinjtë.
“Përgatitjet deri më tani kanë shkuar shumë mirë, pasi të them të drejtëm kishim uri për basketboll dhe mezi po prisnim të fillonim. Edhe pse pandemia e bëri të veten, ne do të bëjmë maksimumin që të japim gjithçka prej vetes, dhe pse jo të mos fitojmë edhe Superkupën. Në ekip po mbretëron atmosferë e mirë. Ne nuk do të ndalemi dhe shpresojmë të kemi një edicion sa më pozitiv. Shpresoj që sa më shpejtë do të rikthehen edhe tifozët në tribuna sepse na mungojnë shumë. Falënderojmë shumë FBK-në që asnjëherë nuk është ndalur me punë dhe përkrahje të madhe për përkrahje ndaj neve si basketbollistë”, është shprehur Karanezi për faqen zyrtare të FBK-së.
Karanezi pritet të jetë ndër lojtarët vendorë me minutazhë më të madhe sonte në përballjen e Bashkimit ndaj Pejës.
Pas dy çerekfinaleve të zhvilluara mbrëmë, ku gjysmëfinaja e parë u bë e ditur (Rahoveci - Prishtina), sonte në Sezai Surroi të Prizrenit zhvillohen dy çerekfinalet tjera të Superkupës.
Golden Eagle Ylli - Ponte Prizreni nis në ora 17:00, ndërsa Peja - Bashkimi në ora 19:00. Fituesit e këtyre ndeshjeve takohen në gjysmëfinalen e dytë të garës.