BOREA - PRISHTINA
Valon Bunjaku me dyshifror të katërfishtë, Prishtina pa probleme
3 February, 2019 @20:22
Në takimin e fundit të xhiros së XVII në Superligën e Kosovës në basketboll, Prishtina ka shënuar fitore të parashikueshme ndaj Boreas në Pejë.
Edhe pse pa Dardan Berishën, Fisnik Rugovën, Kyan Andersonin e Khalid Boukichoun në skuadër, kryeqytetasit ishin dominues që nga fillimi dhe dilemë për fituesin nuk kishte në asnjë moment, ndërkohë që ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 52-140.
Paraqitje fenomenale individuale në këtë takim zhvilloi Valon Bunjaku i Prishtinës, i cili luajti me dyshifror të katërfishtë prej 21 pikëve, 21 asistimeve, 12 vjedhjeve të topit dhe 12 kërcimeve, ndërkohë që koshashënuesi më i mirë i Prishtinës sonte ishte Altin Morina, i cili sonte gjithashtu shkëlqeu me 34 pikë, 11 asistime e 3 kërcime. Te Borea vendase u veçuan Albin Berisha me 19 pikë, 4 asistime e 4 kërcime dhe Aron Laja me 13 pikë, 10 kërcime e 3 asistime.
Fitorja e sontme bën që bilanci perfekt i Prishtinës në Superligë të vazhdojë, 17 fitore në po aq ndeshje, kurse Borea pas 17 xhirove ka 3 fitore e 14 humbje, duke qenë kështu e fundit në klasifikim.
Xhiron e ardhshme, Borea i shkon Lipjanit, kurse Prishtina e pret Bashkimin në kryeqytet.