Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VËLLAZNIMI - TREPÇA

Vëllaznimi nxjerr fitore të artë nga “Minatori”, mbijetesa është e mundur

Vëllaznimi nxjerr fitore të artë nga “Minatori”, mbijetesa është e mundur


21 March, 2021 @20:31

Një prej skuadrave më në formë në ndeshjet e fundit në Superligë, Trepça, është gjunjëzuar në shtëpinë e saj pasi u mposht nga Vëllaznimi në “Minatori” me rezultat 68-78.

Gjakovarët të cilët gjenden në pozitën e fundit në tabelë, arritën një fitore shumë të rëndësishme për t’i mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Ekipi mysafir u tregua kërkues qysh nga fillimi i ndeshjes, duke krijuar epërsi dyshifrore në çerekun e parë (11-21). Kjo epërsi arriti maksimumin në çerekun e tretë, kur dallimi u bë +14 pikë, 39-53.

Në fillim të çerekut të katërt Trepça krijoi një seri të shpejt prej 5-0 dhe rezultatin e ngushtoi deri në -3 pikë (55-58), por më pas gjakovarët të udhëhequr nga Ty Nichols, Cendric Council dhe Robert Shestani, arritën të shkëputen përsëri në rezultat për të siguruar fitoren, derisa te xehetarët as mbrojtja me presing në fund nuk dha rezultat.

Nichols ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 19 pikë të shënuara dhe ishte afër shifrave triple-double, pasi pati edhe 8 kërcime dhe 8 asistime. Ndërsa Council dhe Shestani dhanë kontribut po ashtu të rëndësishëm në shënimin e pikëve, duke realizuar nga 18 pikë secili.

Te Trepça reparti i sulmit dështoi në tërësi, ndërsa kjo u pasqyrua edhe në statistika të lojtarëve, ku koshashënuesi më i mirë u bë Drilon Hajrizi me vetëm 12 pikë.

TABELA AKTUALE

Me këtë fitore Vëllaznimi vazhdon t’i mbajë gjallë shpresat për mbijetesë. Ekipi i trajnerit Branimir Pavic tani ka 8 fitore dhe 17 humbje, apo një më pak se pozita e parafundit të cilën e mbanë Sigal Prishtina. Në pozitë jo komode gjendet edhe Trepça e cila ka 10 fitore dhe 15 humbje.

Javën e ardhshme Vëllaznimi do ta pret në shtëpi skuadrën e Golden Eagle Yllit, kurse Trepça do të udhëtojë në Karagaç për t’u përballur me Pejën.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga