EKSKLUZIVE
Vendos brenda javës!
18 June, 2013 @11:16
Qendra e përfaqësueses shqiptare në basketboll, Endrit Hysenagolli, është bërë lojtari më i kërkuar nga skuadrat kosovare.
Prej se FBK-ja vendosi që basketbollistët shqiptar të llogariten si jo të huaj në Superligën e Kosovës në basketboll, skuadrat që mëtojnë sukses kanë vërshëuar tregun shqiptar - natyrisht duke ndjekur më të mirët.
Kushtet vendosin
“Ende nuk kam vendosur asgjë. Nuk e di ku do të luaj. Kam oferta nga Peja, Prishtina dhe Bashkimi,” ka thënë në fillim të bisedës qendra 206 centimetra e gjatë shqiptare.
“Mirëpo, para së gjithash me oferta mendoj më shumë për Pejën dhe Prishtinën, edhepse për momentin s’kam vënë nënshkrimin askund,” ka detajuar kampioni i ri i Shqipërisë me Kamzën.
-Por çka është ajo që do të shtyjë Hysenagollin të vendos për njërën?!
Fundjava vendimtare
“Të them të drejtën, të treja ekipet i kam parë. Janë të forta, por do të vendosin kushtet. Gerti Shima më ka thënë fjalë të mira për Pejën. Për Prishtinën gjithashtu më kanë thënë fjalë të mira, por besoj se brenda javës do ta mbyll dilemën dhe do të vendosi për njërën,” ka paraqitur dilemën ai.
-A do të mund të vendos ndoshta: të luani me kampionin (Peja), të jeni pjesë e një skuadre të Balkan League (Prishtina), apo të jeni bosht kryesor i ekipit dhe të keni minutazhë, pasi që në Prizren nuk ka konkurrencë të madhe nën kosh (Bashkimi)?!
I kënaqur që kërkohet nga TOP 3
“Të treja janë të forta në Kosovë. Në njërën anë mund të luash me ekipin kampion, në tjetrën, të luash në Balkan League do të ndihesh më i privilegjuar, pastaj edhe Bashkimi është i fortë. Mirëpo, unë mund të them se jam tejet i kënaqur që më kërkojnë TOP 3-shja e skuadrave kosovare,” ka thënë 25 vjeçari, pa dashur të jep sinjale se në cilën mund të shkojë.
Hysenagolli deri më tani ka luajtur vetëm për skuadrat e Shqipërisë dhe cilindo ekip që e zgjedh do të jetë aventura e parë e tij jashtë vendit.
Ai gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Studentit, Partizanit, Tiranës dhe Kamzës, me të cilën u shpallë edhe kampion këtë stinor duke e mposhtur Vllazninë e Shkodrës në finale të Play-Offit.
Nga tre skuadrat që e kërkojnë Hysenagollin, vetëm Peja ka regjistruar përforcimin e parë duke e marrë Drilon Hajrizin. Prishtina dhe Bashkimi ende nuk kanë filluar të përforcohen.