FIBA EUROPE CUP
Würzburg i papërballueshëm për Prishtinën
23 January, 2019 @20:49
Pas humbjes me rezultat 95-77 në duelin e parë të zhvilluar në Gjermani, Prishtina u mposht edhe sonte nga skuadra e s.Oliver Würzburg me rezultat 78-91 në kryeqytet.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominim total të mysafirëve, të cilët kishin një përqindje tejet të lartë të shënimeve nga loja, e te Prishtina në anën tjetër kishte shumë topa të humbur, 8 gjithsej në pjesën e parë, si dhe momente të shumta shpërqëndrimi në fazën defansive, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me epërsi të thellë të mysafirëve, 30-56.
Ajo që ra në sy në këtë pjesë ishte fakti që Dardan Berisha, zakonisht koshashënuesi më i mirë i Prishtinës, shënoi vetëm 2 pikë, një tregues i qartë për mosefikasitetin e kryeqytetasve në fazën e sulmit. As edhe një pikë Dardani nuk e shënoi as në komplet pjesën e dytë, për ta mbyllur kështu një përformancë të dobët individuale me vetëm 2 pikë të shënuara.
Në çerekun e tretë, Prishtina startoi me një seri 8-3 dhe me mbrojtje më të mirë, mirëpo gjermanët dalëngdalë u rikthyen në lojën e tyre dhe nuk lejuan zvogëlim të madh të epërsisë së tyre. Pas 30 minutave lojë, rezultati në semafor shënonte 57-74, pra epërsia e gjermanëve ishte më e vogël në krahasim me atë që e kishin pas pjesës së parë.
E në 10-minutëshin e fundit, Würzburgu e menaxhoi tejet mirë ndeshjen, duke mos lejuar asnjëherë që epërsia e tij të bie nën 12-13 pikë, për ta mbyllur kështu ndeshjen me rezultatin përfundimtar 78-91.
Më i dalluari te Prishtina sonte ishte Kyan Anderson me 19 pikë, 4 kërcime e 2 asistime, kurse te skuadra gjermane e Würzburgut koshashënuesit më të mirë ishin Skyler Bowlin dhe Gabe Olaseni me nga 14 pikë të shënuara.
Në ndeshjen tjetër të Grupit I, grup në të cilin ndodhet Prishtina, Pinar Karsiyaka triumfoi me rezultat 102-95 në duelin ndaj hungarezëve të Szolnoki Olaj.
Humbja e sontme bën që Prishtinës t’i zvogëlohen shumë gjasat për kalim tutje të grupit, pasi që tashmë për t’u kualifikuar Prishtinës i duhet një fitore në Hungari ndaj skuadrës së Szolnoki Olaj, e më pas një fitore me mbi 22 pikë ndaj Pinar Karsyakas më 6 shkurt në kryeqytet, duke shpresuar në ndërkohë që Karsyaka të mos fitojë ndaj gjermanëve liderë të grupit.
GRUPI I
1 | s.Oliver Würzburg | 4 ndeshje | 8 pikë | |
2 | Pinar Karsiyaka | 4 ndeshje | 7 pikë | |
3 | Prishtina | 4 ndeshje | 5 pikë | |
4 | Szolnoki Olaj | 4 ndeshje | 4 pikë |