Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TREPÇA - YLLI

Ylli këndellet me Armsteadin, fiton derbin ndaj Trepçës në “Minatori”

Ylli këndellet me Armsteadin, fiton derbin ndaj Trepçës në “Minatori”


16 October, 2022 @18:58

Një super ndeshje, derbi i vërtetë posa përfundoi në Minatori të Mitrovicës, përplotë me tifozë, kurse kampioni aktual i Superligës Ylli me rikthimin e Malcolm Armsteadit pas lëndimit, ka nisur të tregojë dhëmbët.

Suharekasit kanë arritur të shënojnë fitore të ngushtë në derbi, që u finalizua me gjuajtjet e lira të Jay Threattit për suharekasit, kurse i tërë mundi i Drilon Hajrizit të shkëlqyeshëm në çerek të fundit shkoi kot, kur pasimin e tij nuk e konkretizoi Clevon Brown, që tentoi për tre pikë në sekondat e fundit!

Organizatori Armstead ka treguar ndikimin dhe përvojën e tij në lojë, që në ndeshjen e parë për Yllin e Adis Beciragicit, që pas startit me katër humbje radhazi, me sonte kanë regjistruar fitoren e dytë radhazi, duke e mposhtur Trepçën si mysafir, 70-72 [19-18, 21-23, 10-14, 20-17].

TABELA AKTUALE

Koshashënuesi më i mirë i Yllit ka qenë Jay Threatt që ka dhënë 19 pikë e 3 kërcime sonte, ndërsa Armstead luajti me 16 pikë, 2 asistime e 3 kërcime në fitoren e ekipit të tij. Kontribut të madh në fitore dha edhe Henrik Sirko luftarak, që disa herë këndelli skuadrën me angazhimin e tij, ndërsa lojën e kreu me 14 pikë e 6 kërcime.

Trepça vetëm falë mos-shënimit të disa pikëve është mposhtur sonte, ndërsa përkundër double-double të Andrew Gordonit me 19 pikë e 13 kërcime, ka qenë Drilon Hajrizi që ka bartur barën kryesore të skuadrës, duke bërë gjithçka në çerekun e fundit, e që s’mjaftoi për fitore.

Hajrizi kreu lojën me 13 pikë, 9 kërcime e 6 asistime, ndërsa 12 të tjera shënoi Erjon Kastrati, që sonte gjuajti 2/7 për tri pikë.

Pas këtij dueli, Trepça ka bilanc 4-2, ndërsa Ylli 2-4.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga