PEJA - YLLI

Ylli merr kreun në tabelë duke e mposhtur Pejën në Karagaç
3 March, 2021 @20:34
Golden Eagle Ylli është lideri i ri i Superligës, pasi e mposhti në palestrën Karagaçi Pejën me rezultat 77-88.
Ekipi i trajnerit Fatih Emre Gezer që nga çereku i dytë kur e mori epërsinë, e kishte ndeshjen nën kontroll, duke mos lejuar të rrezikohet fitorja sidomos në çastet më vendimtare.
Peja ishte mbizotëruese vetëm gjatë çerekut të parë, të cilin edhe e mbylli me epërsi prej 4 pikëve, 22-18.
Ylli e arriti epërsinë më të thellë prej 14 pikë tri herë gjatë ndeshjes, së pari në çerekun e dytë me rezultatin 32-46 dhe më pas dy herë gjatë çerekut të katërt për rezultatin 60-74 dhe 63-77.
Që të dyja skuadrat kishin mungesa të shumta dhe nuk u paraqitën me formacionet e tyre më të mira. Te Peja mungoi Dardan Berisha, ndërsa lojtarët si Leonard Mekaj e Beqë Kovaqi që sapo u kthyen nga lëndimet, nuk kishin shumë minutazhë në lojë.
Në anën tjetër, Ylli u paraqit pa pllejmekerin Mitchell Wilbekin dhe qendrat Demetris Morant e Gëzim Morina, që të gjithë të lënduar, derisa telashet u shtuan gjatë lojës kur u lënduan edhe Eliyah Clark dhe Drilon Shala.
Mungesat e shumta të Yllit, arritën t’i mbylojnë treshja Valon Bunjaku-Erjon Kastrati-Samir Zekiqi, të cilët ishin bartësit e lojës te suharekasit. Bunjaku ishte koshashënuesi më i mirë me 24 pikë, Kastrati luajti me double-double 20 pikë e 13 asistime, ndërsa Zekiqi pati 17 pikë e 7 kërcime.
Te Peja qendra Brandon Walters ishte i vetmi që u dallua duke luajtur me double-double monstruoz prej 31 pikëve e 17 kërcimeve.
Ylli me këtë fitore bëhet lider i ri i Superligës, me pikë të njëjta me Ponte Prizrenin që renditet në pozitën e dytë, kurse Peja tani renditet në pozitën e katërt me 12 fitore dhe 9 humbje.
Në ndeshjen e radhës Ylli e pret në shtëpi Ponte Prizrenin, ndërsa Peja do të jetë mysafire e Prishtinës.