Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MATCH REPORT: PRIZRENI - YLLI

Ylli shkëlqën në pjesë të dytë për të nisur me fitore

Banka e Golden Eagle Yllit, sonte në Sezai Surroi të Prizrenit/ Foto: A. Pacharizi

Ylli shkëlqën në pjesë të dytë për të nisur me fitore


29 October, 2020 @18:34

Skuadra e Yllit ka qenë në disavantazh prej 11 pikëve në çerek të dytë të lojës, kur Prizreni kishte bërë avantazh të konsiderueshëm dhe ecte sigurt drejt përfundimit të pjesës së parë në epërsi 45-41 [21-16, 24-25].

Mirëpo, ekipi i drejtuar nga Dragan Radovic ngadalë ka arritur të rikthehet në lojë për të mbyllur pjesën e parë me 4 pikë dallim, ndërsa në pjesë të dytë, saktë në fund të çerekut të tretë barazoi rezultatin 61-61.

E kur u fut loja në 10 minutëshin e fundit kishte rikthime në rezultat, por një seri e Yllit që çoi ekipin suharekas në avantazh 8 pikësh, ishte i pakapshëm për vendasit e drejtuar nga Arbnor Rifati.

prizreni

Kështu në fund Ylli doli fitues i ndeshjes derbi të ditës, duke marrë fitoren e parë të stinorit në Sezai Surroi si dhe në një mënyrë duke ia kthyer humbjen e shkaktuar ditë më parë ekipit të Rifatit, që i kishin mposhtur në Superkupë.

TABELA AKTUALE

Në rezultatin final 77-85 në të mirë të Yllit, kontribut të veçantë te mysafirët ka dhënë Samir Zekiqi që s’pushoi fare në ndeshje dhe shënoi 26 pikë, 4 kërcime e 3 asistime në fitore.

Atij i ndihmoi shumë edhe performanca e amerikanit Cody John me 24 pikë e 5 asistime. Pikë dyshifrore shënoi edhe playi Valon Bunjaku që kreu ndeshjen me 16 pikë, 6 kërcime e 4 asistime.

ylli

Në anën tjetër, lufta e KB Prizrenit që kryesisht u bë përmes Ty Nichols, 22 pikë dhe Justin Jones 22 pikë - ishte e pamjaftueshme.

Përveç Arti Hajdarit që shënoi 19 pikë prej të cilave 3 treshe dhe 5 asistime, forcat tjera të ekipit u ndalën nën 10 pikë të shënuara, ndërsa qendra e dalluar e ekipit Urim Zenelaj nuk ishte në ditën e tij, pasi që nuk arriti dyshifrorët as në pikë e as në kërcime - që e ka specialitet.

Kështu, Ylli nis sezonin 2020/21 në Superligë me fitore, ndërsa Ponte Prizreni e nis me humbje si vendas.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga