BASHKIMI - YLLI
Ylli triumfon ndaj kampionit në Prizren
20 January, 2019 @18:39
Në ndeshjen e parë nën drejtimin e Vigan Malokut në Superligë, skuadra e Bashkimit është mposhtur me rezultat 65-83 nga skuadra e Yllit.
Me përjashtim të çerekut të katërt, kampioni në fuqi i Kosovës në të gjithë çerekët e ndeshjes ishte më i dobtë se Ylli, gjë që rezultoi në humbje. Fatal për Bashkimin ishte çereku i tretë, pas të cilit skuadra therandase krijoi epërsi 18 pikëshe, për ta përmbyllur përfundimisht dilemën e fituesit. Tentimet e Bashkimit për ngushtim të rezultatit në çerekun e fundit nuk dhanë rezultat, me skuadrën mysafire që veçse kishte krijuar epërsi të lartë.
Më i dalluari për Bashkimin sonte ishte Jordan Capps me 22 pikë e 4 kërcime, kurse te Ylli u veçua transferimi i afatit kalimtar dimëror, Alban Veseli, i cili ndeshjen e mbylli me 26 pikë (4 trepikësha), 9 kërcime e 2 asistime. Përforcimi i Bashkimit këtë afat kalimtar dimëror, Lamar Wofford, në ndeshjen e tij të parë në Superligë luajti për rreth 9 minuta, brenda të cilave shënoi 3 pikë dhe pati 2 kërcime.
Pas 15 xhirove, Bashkimi ka bilanc 7-8, kurse Ylli me bilanc 10-5 ndodhet në vendin e dytë në tabelë.