NË SUHAREKË
Ylli zyrtarizon Leonard Mekajn
3 January, 2018 @22:44
Skuadra e Yllit nga Suhareka, që përfundoi në pozitë të tretë pjesën vjeshtore të stinorit në Superligë, para pak çastesh ka zyrtarizuar reprezentuesin e Kosovës në basketboll, si lojtar të ri të tyre, ashtu siç pritej.
Fjala është për Leonard Mekajn, që para Vitit të Ri mbrojti ngjyrat e Pejës, ekip ky që është në krizë të thellë financiare.
Mekaj filloi stinorin me Pejën përkundër kushteve të vështira te verdhezinjtë, por më pas për shkak të mospagesës të gjithë seniorët braktisën ekipin, duke e lënë në dorë të juniorëve sa për të garuar.
Ndërkaq, Ylli ka plane tjera. Ekipi suharekas është duke synuar të përforcohet edhe më dhe të rivalizojë me kampionin Sigal Prishtinën për kreun e klasifikimit dhe për trofe eventual.
Mekaj është shtesa e parë në skuadër, derisa ekipi ka paralajmëruar edhe përforcime tjera që do të zyrtarizohen shpejt.