STREETBALL KOSOVA 2017
1-2 shtator, Prishtina arenë e turneut të Streetballit
30 August, 2017 @14:26
Me 1 dhe 2 shtator Prishtina do jetë arenë e turneut të Streetballit në Kosovë. Kjo njëherësh është edhe gara e vetme zyrtare e organizuar nga Shoqata e Streetball Kosovës, anëtare e FBK dhe FIBA 3x3.
FIBA 3x3, fituesin e turneut ndërkombëtar Streetball Kosovës, e ka deleguar të të kualifikohet në Berlin Challenger, si pjesë të rrugës apo Road to Mexico City Masters në kuadër të FIBA 3x3 World Tour 2017.
Agon Fehmiu kryetar i Shoqatës së Streetball Kosova, deklaroi se të premten dhe të shtunën, më 1 dhe 2 shtator në Sheshin Zahir Pajaziti, në qendër të Prishtinës na pret një festë e vërtetë: Super vikendi i garave të licencuara nga FIBA 3x3.
“Do të jemi dëshmitar të edicionit të 18-të të Kampionatit të Kosovës në Streetball apo si i themi tash Basketbollit 3 kundër 3 dhe edicionit të dytë të garave ndërkombëtare të organizuara nga shoqata Streetball Kosova dhe të licencuara nga FIBA 3x3 Basketball,” ka thënë Fehmiu.
Me 1 shtator, kemi garën vendore STREETBALL KOSOVA 2017. Top 16 ekipet kosovare do të luftojnë për dy vendet e para dhe kualifikimin në garën ndërkombëtare, plus kampioni do të shpërblehet me 400 euro kurse nënkampioni me 200.
Me 2 shtator, këtyre dy ekipeve do t’iu bashkohen edhe 6 tjera evropiane për të garuar në turneun e rangut Satelit të FIBA 3x3: STREETBALL KOSOVA INTERNATIONAL 2017.
Kampioni i këtij turneu do të shpërblehet me 2000 euro, plus 1000 euro në emër të shpenzimeve për udhëtimin në Berlin Challenger 2017.
Më 1 dhe 2 shtator, për herë të parë në histori të streetballit kosovar do të luhet me infrastrukturë super-moderne botërore të FIBA 3x3.
Viti 2017-të, është një vit shumë i rëndësishëm për Streetballin, pasi zyrtarisht basketbolli 3x3, është pranuar si disiplinë olimpike, dhe debutimin e vet do ta ketë në LOV Tokio 2020.