KINA 2019
FIBA paralajmëron FBK-në, ndeshjet mund të luhën jashtë vendit
27 August, 2017 @9:07
Në rast se nuk plotsohen kushtet e FIBA-së, ndeshjet kualifikuese mund të luhen jashtë vendit.
FIBA, e paralajmëroi FBK-në se nëse palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk e arrin kapacitetin e 3 mijë ulëseve, atëhere ndeshjet për kualifikime të Kupës Botërore Kina 2019, nuk do t’i luaj në kryeqytet.
Me datën 20 dhe 21 shtator, këshilltari i Sekretarit gjeneral të FIBA-së, Lubomir Kotleba, do të inspektojë palestën, derisa FIBA në lidhje me këtë çështje ka dërguar një letër federatës.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për sigurimin e një vendi në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës Kina 2019. Për të qenë sa më të përgatitur që është e mundur për ndeshjet e muajit nëntor, do të kishim pasur dëshirë që të vlerësojmë palestrën që e keni paraqitur në platformë. Kjo do të bëhet ndërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informative që keni ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme. Vizita do të shërbej për të qartësuar nëse palestra mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërrmeren në mënyrë që palestra të miratohet, në qoftëse disa kërkesa minimale mund të përmbushen, ekziston mundësia që ju të luani ndeshjet jashtë vendit, derisa të keni palestër të përshtatshme e regjistruar në vendin tuaj,” ka thënë në letër ai, transmeton FBK-ja.
Kriteri kryesor i FIBA-së, është që së paku 3 mijë ulëse të ketë palestra, derisa FBK-ja në muajin mars e kishte paraqitur kërkesën për regjistrimin e palestrës, por FIBA nuk e kishte pranuar, pasi që ajo duhet të ketë kapacitet prej 3 mijë ulëseve.
GRUPET KUALIFIKUESE DHE ORARI I NDESHJEVE
Kosova në kualifikime për Botërorin Kina 2019 është në Grupin C me Lituaninë, Poloninë dhe Hungarinë.