STREETBALL
![123 përfaqëson Gjakovën në superfinalen e Ferizajit 123 përfaqëson Gjakovën në superfinalen e Ferizajit](https://topsporti.com/images/uploads/_new_article_sans/76af516a-cc3b-4d8c-ba91-8df0859a5924.jpg)
123 përfaqëson Gjakovën në superfinalen e Ferizajit
Teksti: Streetball Kosova
23 July, 2016 @21:22
Pas Ferizajit, Prizrenit e Gjilanit, Gjakova dha emrin e skuadrës së 4-të superfinaliste të Limak Streetball Kosova 2016.
‘123’, doli kampion në kategorinë kryesore, atë të profesionistëve.
‘123’, për dallim nga ekipet e tjera, u paraqit me vetëm 3 lojtarë dhe po aq ishin të mjaftueshëm për ta siguruar epitetin e më të mirit në Gjakovë te profesionistët.
Të përbërë nga Driton Ibrahimi, Driton Ramosaj e Muhamed Janjeva, ata nuk pësuan asnjë humbje në tërë turneun kualifikues të Gjakovës, ndërsa në finale fituan ndaj skuadrës ‘Doktor Street’ me rezultat 21:16.
Kështu, Gjakovën në superfinalen e Ferizajit me 7 gusht do ta përfaqesojnë ‘123’ në kategorinë e profesionistëve, derisa në atë amatore kampion doli skuadra ‘Ortodent’, që po ashtu shkon në Ferizaj më 7 gusht, në garën për më të mirin e amatorëve.
Gjithsej në Gjakovë u paraqitën për të garuar 12 ekipe, 6 në kategorinë profesioniste dhe 6 në atë amatore.
Sikurse në Gjilan një ditë më parë, edhe në Gjakovë temperaturat ishin të larta, por kjo nuk zbrapsi dashamirët e streetballit, që përveç e begatuan turneun me 12 skuadra pjesëmarëse, gjatë ditës për sa zgjatën garat për më shumë se 5 orë, rreth ambienteve të fushës gravituan qindra shikues.
Garat i nisën streetballistët në kategorinë amatore, që ishin të ndarë në dy grupe me nga 3 ekipe, ngjashëm sikurse edhe profesionistët.
Me bilanc të qindpërqindtë si liderë të grupeve A dhe B, kaluan tutje ‘Ortodent’ dhe ‘Thug Life’, për t’i pritur në gjysmëfinale ekipet ‘Juventus’ dhe ‘Index 91’, që patën nga një fitore më pak në fazën e grupeve.
Dy më të mirat e grupeve ishin për një nuancë më të dalluar edhe në gjysmëfinale. ‘Ortodent’ fitoi 12:11 ndaj ‘Index 91’, kurse ‘Thug Life’ 14:13 ndaj skuadrës ‘Juventus’.
Kështu finalja përballi Ortodentin ndaj ekipit Thug Life. Ortodent në përbërje të Shpat Kërleshit, Fis Rugovës, Dorant Hanës e Ron Gashit triumfuan 14:11.
Edhe te profesionistët ishte skenar i njëjtë po ashtu. 123 dhe Doktor Street dominuan grupet, për të shkuar tutje në gjysmëfinale pa humbje, derisa aty u përballën me ekipin Air Lines dhe Pejën.
123, fitoi 14:13 ndaj Air Lines, derisa Doktor Street mposhti Pejën 15:12 me një super paraqitje të Blendi Kajës, që shënoi gjashtë dyshe, duke qenë kështu i pandalshëm nga distanca.
Dhe sikurse te amatorët, më të mirët e grupeve u përballën në finale.
Këtu freski dhe koncentrim më të lartë pati ekipi 123, edhe pse ata gjatë gjithë turneut nuk patën lojtarë rezervë duke luajtur me vetëm 3 streetbollistë.
Me efikasitet të lartë sidomos nga distanca, 123 fitoi 21:16, duke mbyllur dilemën e kampionit të Gjakovës dhe duke dhuruar kështu superfinalistin e katërt të kampionatit të 17-të të Streetboll Kosovës.
Limak Streetball Kosova 2016 do të vazhdojë të dielën, më 24 korrik, me turneun kualifikues të Prishtinës.