SHQIP NË BOTË
13 minuta për Maxhunin, Long Beach State i prin Konferencës
28 January, 2018 @13:57
Vazhdojnë fitoret e Long Beach State në Big West Konferencën e kolegjeve amerikane.
Skuadra ku aktivizohet Edon Maxhuni në mëngjesin e sotëm mposhti skuadrën e CSUN Matadors, duke e shënuar kështu fitoren e tretë me radhë. Long Beach State zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, sidomos gjatë 30 minutave të para, mirëpo vendasit u rikthyen në lojë nga një disavantazh prej 14 pikëve dhe ishin shumë pranë përmbysjes së rezultatit. Gjithsesi, në momentet vendimtare të ndeshjes, skuadra Long Beach State u tregua e përqëndruar dhe takimin e mbylli me fitore 70-66.
Maxhuni në këtë përballje luajti 13 minuta, përgjatë të cilave ai shënoi 3 pikë, si dhe pati 3 kërcime, 2 asistime e 2 topa të vjedhur. Për t’u përmendur është fakti që Edoni në fillim të ndeshjes pësoi një goditje me bërryl nga lojtari kundërshtar, e kjo ndikoi që ai në këtë takim të ketë minutazh më të ulët se mesatarja e tij këtë sezon. Fatmirësisht, fundori kosovar me nënshtetësi finlandeze nuk pësoi lëndim nga goditja e pësuar në këtë përballje dhe burime të Borozani.com kanë konfirmuar që ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës.
Kjo fitore bën që Long Beach State të jetë në krye të konferencës, fakt ky i cili iu shton gjasat për pjesëmarrje në turnirin NCAA. Ky turnir mbahet në muajin prill.
Duelin e radhës skuadra ku Maxhuni po e kalon vitin e tij të parë në kolegj e luan ndaj skuadrës UC Irvine të enjten në mëngjes.