MBRETËRIT NË FINALE

4 hurmat e Benzemasë çojnë Realin në finale, Barça turpërohet
5 April, 2023 @23:07
Nuk ka të ndalur. Pas hat-trickut të shënuar në fundjavë në LaLiga, sulmuesi francez i Real Madridit, Karim Benzema, që në muajin e Ramazanit është “hit” me hurmat e tij, sonte shënoi tre gola tjerë për fitoren e Real Madridit ndaj Barcelonës në Camp Nou. Plus, bëri edhe një asistim në golin e parë të ekipit.
Kësaj here është radha jonë, kishte thënë Carlo Ancelotti para ndeshjes. Por, as ai nuk do ta priste një rezultat dhe dominim të tillë në lojë. Barcelona kishte fituar tri El Clasicot para kësaj radhazi, por ka qenë Karim Benzema me krahët hapur dhe buzëqeshjen e tij vrasëse që qëndronte para flamurit të kornerit, duke festuar. Topi i Artë shënoi hat-trickun e dytë brenda katër ditëve, ndërsa posa kishte përmbysur Barcelonën me golin e tretë të tij, për t’ia siguruar Real Madridit finalen e parë të Kupës së Mbretit që prej nëntë viteve.
Barcelona kishte fituar ndeshjen e parë në Madrid 0-1, mirëpo sonte u turpërua në vend të vetin, duke pranuar katër gola pa krijuar asgjë për tu eliminuar nga Copa del Rey, Barcelona 0-4 Real Madrid [Vini Jr. 45+1, Benzema 50, 58pen., 80]
Loja e Real Madridit ka qenë dominuese sonte, derisa Barcelona nuk ka pasur përgjigje, duke mos kontrolluar asgjë në mes të fushës. Luka Modric dhe Toni Kroos kanë bërë të veten përsëri, ndërsa kur vinte topi te Benzema, atëherë gjithçka përfundonte me gol, derisa Los Blancos festuan në fund me plotë meritë.
Në anën tjetër Barcelona vërehej se nuk ishte në ditë të veten. Nuk kishte asgjë nga loja e saj pas një kohe, ndërsa kur u pranua edhe goli i tretë, atëherë më qartë vërehej nervozizmi te futbollistët, që mezi prisnin të kryhej ndeshja.
Real Madridi në finale do të ndeshet me Osasunën. Finalja do të luhet më 6 maj.
Kliko X për ta larguar reklamën dhe për t’i shikuar golat e ndeshjes