KRUNOSLAV KRAJNOVIC
4 minutat e fundit, vendosën
7 October, 2018 @23:17
Trajneri i ri i Bashkimit, Krunoslav Krajnovic, i cili ka përjetuar fitoren e parë me ekipin e tij pas një muaji garë, është shprehur të jetë i kënaqur me fitoren.
Ai pas fitores së Bashkimit në derbin lokal ndaj Prizrenit ka komentuar ndeshjen.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Prizreni luajti me mbrojtje zonale gjatë tërë ndeshjes. Ne i ndoqëm ata gjatë gjithë ndeshjes. Por, në 4 minutat e fundit të takimit, vendosa të luajmë me 4 lojtarë të shkurtër, ishim më agresiv në mbrojtje dhe të gjithë kanë ndërruar pozitat prej 1 deri 4 duke ndalë Urim Zenelajn, kemi rrëmbyer topa dhe me tranzicione të shumta shënuam pikë të lehta,” ka thënë Kruno, siç e thërrasin shkurtë trajnerin e ekipit kampion të Kosovës.
Për Bashkimin kjo ishte fitorja e parë e këtij stinori, ndërsa për ekipin debutoi edhe përforcimi i tretë i skuadrës, Jordan Capps, që ishte edhe më efikasi në ekip në këtë ndeshje.
Xhiron që vjen, Bashkimi është mysafir i Prishtinës, prej së cilës këtë stinor është mposhtur thellë në Superkupë.