BOREA - PRISHTINA
Prishtina kalon edhe Borean
7 October, 2018 @20:35
Pa shumë probleme, Prishtina që luajti në Gjakovë si mysafire e Boreas, ka shënuar edhe fitoren e tretë me radhë të stinorit në Superligë.
Bardhekaltërit ndajnë kreun me pikë të njejta sikurse Rahoveci, që gjithashtu ka bilanc 3-0 dhe tashmë këto dy skuadra janë të vetme pa disfata pas tre xhirove të para në Superligë.
Pas pjesës së parë në disavantazh 31-48, Borea u këndell paksa në çerek të tretë të cilën e morri 23-11, por në çerekun e katërt Prishtina (e drejtuar sot nga Andin Rashica, pas largimit të Matthias Zollnerit, përkundër se Damir Mulaomerovic ka arritur në Kosovë) tregoi fuqinë e vërtetë dhe shënoi fitore të lehtë në fund, siç edhe pritej, për 64-88.
Dardan Berisha ka qenë më efikasi te Prishtina. Ai ka shënuar 29 pkë, ndërsa ka shutuar 7/13 për tre pikë. Lojë të jashtëzakonshme ka treguar A J Davis i cili ka qenë shumë afër triple-double’it. Davis ka përfunduar me 11 pikë, 13 kërcime dhe 8 asitime ndeshjen, për 33 minuta lojë sa qëndroi në parket.
Te Borea, kapiteni Shpend Gashi shënoi 15 pikë, Beqë Kovaçi 10 pikë e 8 asistime, ndërsa Blend Kadusha 13 pikë e 7 kërcime.
Në xhiron e radhës, të katërtën në Superligë, Prishtina pret Bashkimin në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, ndërsa Borea është mysafire e Lipjanit në Bill Clinton të Ferizajit.