TRANSFERI

Albatrit Berisha në Bashkim
13 January, 2013 @19:35
Albatrit Berisha është përforcimi i parë i Sigkos Bashkimit për afatin kalimtar të janarit. Basketbollisti 22 vjeçar ka arritur marrëveshje me klubin prizrenas dhe është transferuar nga skuadra RTV 21.
Berisha para 21-shit ka luajtur edhe për Sigal Prishtinën dhe Kolegjin Univers, derisa këtë stinor ka pasur rol të rëndësishëm sidomos në fitoren e ekipit të tij kundër Trepçës, ku i kishte shënuar 4 trepikësha.
Berisha stinorin e kaluar ka qenë njëri ndër basketbollistët më të dalluar të Kolegjit Univers duke arritur që ta mposhtin Bashkimin në një ndeshje të play-offit, bile kanë qenë afër edhe t’i eliminojnë ata nga çerekfinalja. Berisha është i njohur për precizitetin e tij nga vija jashtë 6.75 metra, ndërsa stinorin e kaluar ka bërë pjesë në ekipin e dytë më të mirë të BKT Superligës të zgjedhur sipas faqes Eurobasket.
Nga Sigkos Bashkimi janë larguar të gjithë basketbollistët e huaj, derisa pritet që edhe disa lojtarë vendor të largohen nga ekipi i portokalltë.
Bashkimi e ka përfunduar stinorin vjeshtor duke shënuar 9 fitore dhe 5 humbje dhe duke u renditur në vendin e tretë pas Pejës dhe Sigal Prishtinës.