PËRFORCIM TE VRESHTARËT
Altin Morina kalon te Rahoveci
10 January, 2017 @20:39
Basketbollisti i deritashëm i Ylli të Suharekës, Altin Morina, është anëtar i ri i Rahovecit, ka bërë të ditur vetë klubi pak më parë përmes faqes zyrtare të ekipit, kbrahoveci.com.
Morina 22 vjeç, 194 centimetra i gjatë, do të jetë një përforcim i rëndësishëm për ekipin e Rahovecit, që po kalon stinorin e parë në Superligë.
NDËR MË TË DALLUARIT TE YLLI
Morina ka qenë ndër më të dalluarit te Ylli këtë stinor në Superligë. Ai është i treti për kah mesatarja në Superligë me asistime, duke dhënë 6 asistime për ndeshje në pjesën vjeshtore të kampionatit.
Mesatarja e playmakerit të ri të Rahovecit është 12.5 pikë për ndeshje dhe 4.4 kërcime.
NIS STËRVITJET MENJËHERË
“Basketbollisti është përfshirë menjëherë në stërvitjet e skuadrës që po vazhdojnë me intenzitet të lartë, derisa kanë përfunduar procedurat e regjistrimit. Ai do të debutojë për Rahovecin në ndeshjen e parë që e zhvillojmë si vendas ndaj Kerasan Prishtinës,” ka theksuar ndër të tjera klubi i vreshtarëve në njoftim.
Rahoveci po drejtohet me sukses nga trajneri Jeton Nixha. Ekipi stinorin vjeshtor e përfundoi me bilanc 4-8 dhe në pranverë do të kërkojë që të shtojë edhe më numrin e fitoreve të skuadrës.
FAKT:
Altin Morina ka veshur më parë edhe fanellën e Bashkimit të Prizrenit dhe Besës së Pejës, para se të bëhet pjesë e Yllit. |