Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MBROJTESI TJETER NE SERIE A

Ardian Ismajli: Lamtumirë Hajduk, Spezia erdha

Ardian Ismajli: Lamtumirë Hajduk, Spezia erdha


15 September, 2020 @8:32

Mbrojtësi Ardian Ismajli do të jetë shqiptari i radhës që po zbarkon në Serie A të Italisë, në parajsën e mbrojtësve.

Ismajli 23 vjeç i lindur në Majac, pas pesë viteve të kaluara te Hajduku i Splitit i tha dje lamtumirë ekipit, ndërsa ditëlindjen e 24-të do ta festojë në Itali, te të posaardhurit në Serie A, Spezia.

FALENDERIMI I ARDIANIT

“Së pari dua të falenderoj të gjithë që kanë qenë pranë meje dhe që më kanë ndihmuar të bëhem ky që jam sot, si njeri dhe si lojtar. Falemnderit Torcidës që gjithmonë kanë qenë përkrah ekipit, edhe kur ka qenë më së vështiri. Të gjithë trajnerët veç e veç i falenderoj si dhe të gjithë bashkëlojtarët e këtyre 5 viteve. Përgjithmonë do të jem me Hajdukun. Ju falenderoj nga zemra,” ka shkruar Ismajli në llogarinë e tij të Instagramit gjatë përshëndetjes me ekipin.

Në anën tjetër ekipi i ri në Serie A, Spezia ka bërë të ditur që reprezentuesi i Shqipërisë Ismajli ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me ekipin. Në total 93 paraqitje me Hajdukun, ku 28 vetëm në stinorin e fundit.

MIRËSEARDHJA ITALIANE

“I lindur në të ‘96-tën Ismajli ka edhe përvojë ndërkombëtare, duke mbrojtur 11 herë ngjyrat e kombëtares shqiptare pas debutimit të bërë aty më 17 Nëntor 2018 ndaj Skocisë. Mirëseerdhe Ardian!!!,” ka shkruar faqja zyrtare e bardhezinjëve, që botoi edhe një foto-ilustrim të Ismajlit në njoftimin për marrjen e lojtarit.

Në anën tjetër ekipi nga bregdeti kroat i Adriatikut ka falenderuar Ardianin për kontributin në njoftimin e tyre për largim të lojtarit nga klubi.

SHKRIMI I HAJDUKUT

“Debutoi te trajneri Damir Buric në maj të vitit 2016 në ndeshjen ndaj Zagrebit, ndërsa loja e fundit e tij me fanellën e të bardhëve ka qenë ndaj Slavenit. Ismit i falenderojmë për të gjitha që ka treguar me fanellën e bardhë dhe i dëshirojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës,” ka shkruar aty.

Vetëm këtë verë në Serie A zbarkuan disa lojtarë të ri. Pas Mërgim Vojvodës që arriti në Torino dhe Vedat Muriqit që erdhi te Lazio, ardhja e Ardian Ismajlit në Spezia konfirmon rritjen e cilësisë së lojtarëve nga anët tona dhe punën e tyre në drejtim profesional.

Spezia në përballjen e parë të Serie A-së këtë stinor do të jetë mysafire e Udineses.


 
Të gjitha lajmet nga