KB LIPJANI
Arrin përforcimi i parë i huaj i Lipjanit
18 January, 2019 @17:39
Përforcimi i parë i huaj i Lipjanit ka arritur në Kosovë.
Bryson Leonard Harris, lojtar ky që luan në pozitat 1 dhe 2, që nga kjo fundjavë do të jetë në ndihmë të klubit të Lipjanit. Së fundi Harris ishte pjesë e Midway University College në Amerikë, ku luajti me mesatare prej 16 pikëve, 4.6 asistimeve dhe 3.4 kërcimeve për ndeshje.
Përveç amerikanit të lartpërmendur, Lipjani në këtë afat kalimtar është përforcuar edhe me amerikanët Ronald Farmer Blanchard (qendër) dhe James Johnson (alo-qendër), dyshe kjo që ende nuk ka arritur në Kosovë. Gjithashtu, lipjanasit këtë dimër janë përforcuar edhe me vendorët Arian Memeti (pozita 3/4), Qëndrim Demi (pozita 1/2) dhe Baton Dervishi (pozita 1/2).
Sa i përket lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës në vjeshtë, është larguar vetëm Fisnik Juniku drejt Rahovecit, kurse të tjerët mbesin në skuadër edhe për pjesën pranverore të sezonit.
Për t’u përmendur është fakti që skuadra e Lipjanit nesër ndaj Prizrenit stinorin pranveror e fillon në palestrën e saj “Better Life”, e cila në stinorin pranveror nuk ishte në dispozicion për shkak të kushteve jo të nivelit të kërkuar, ndërsa përveç palestrës së re, skuadra e Lipjanit pranverën e fillon edhe me trajner të ri, Gyltekin Selimin e emëruar pak kohë më parë.